Kushtetuesja rrëzon qeverinë dhe vendos në favor të gjyqtarëve
Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e qeverisë që u hiqte makinat gjyqtarëve. Me një vendim 6 me 3 në favor të kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë ligjin e qeverisë, të miratuar pak muaj më parë nga maxhoranca parlamentare. Sipas vendimit të kësaj gjykate, ligji cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Pas debateve jo të pakta në këtë gjykatë, ku dhe vetë anëtarët e saj prekeshin nga ky vendim, dy ditë më parë Gjykata e rrëzoi këtë ligj si antikushtetues edhe për faktin se të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve përcaktohen në Kushtetutë dhe mbi të nuk mund të dalin ligje që miratohen me shumicë të thjeshtë. Ankimimi i Unionit të Gjyqtarëve argumentonte në kërkesën e tij se ligji i ri i qeverisë cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe kërkon shfuqizimin e tij sa i takon vetëm pjesës së trajtimit me mjete transporti të gjyqtarëve dhe jo deputetëve. Në kërkesën e tyre ata i referohen funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Si institucione kushtetuese, funksionimi i këtyre gjykatave përcaktohet në Kushtetutë dhe si i tillë kërkon rregullisht tre të pestat e votave të deputetëve të Kuvendit, dhe jo një shumicë të thjeshtë, ashtu siç është miratuar. Ligji Nr.10160, që heq përfitimet që kanë gjyqtarët, bie ndesh me nenin 138 të Kushtetutës, ku parashikohet se "koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet, paga dhe përfitimet e tjera nuk mund të ulen". Gjithnjë në zbatim të këtij neni kushtetues, "paga dhe përfitimet e tjera...", ka të bëjë me të gjitha ato të drejta materiale dhe jo materiale që gjyqtarët i gëzojnë në përmbushje të funksionit të tyre kushtetues, duke përfshirë këtu dhe përfitimin e shërbimit të transportit nga shteti. Heqja e këtij shërbimi, sipas Unionit të Gjyqtarëve, cenon pavarësinë e funksionimit të këtyre funksionarëve. Sipas Unionit, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve përcaktohen vetëm në Kushtetutë. "Duke qenë se statusi i gjyqtarëve është pjesë thelbësore e garantimit kushtetues të pavarësisë institucionale të gjykatave dhe gjyqtarëve, këto të drejta, detyrime dhe mënyra se si ato fitohen, modifikohen apo hiqen janë të parashikuara ose interpretohen vetëm në përputhje me Kushtetutën ose ligjet organike mbi Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe pushtetin gjyqësor në tërësi", - shprehet Unioni i Gjyqtarëve në kërkesën e tij.
Avokatët kryesisht, tri ditë bojkot për pagesat që u detyrohet shteti
Mbi 50 avokatë të shtetit kanë vendosur bojkot të seancave gjyqësore deri më 10 prill, pasi kanë mbi 8 muaj që nuk paguhen nga shteti. “Nëse qeveria nuk e zgjidh problemin e pagesave të avokatëve të shtetit, atëherë edhe avokatët penalistë në vend do të bojkotojnë proceset gjyqësore”. Paralajmërimi u bë dje nga kreu i Shoqatës së avokatëve penalistë, Saimir Visha. Ky reagim vjen disa ditë pasi ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i dërgoi një shkresë Dhomës Kombëtare të Avokatëve për marrjen e masave ndaj 16 mbrojtëse ligjorë që janë bërë shkak për shtyrjen e gjyqeve ku ata mbrojnë të pandehurit. Pak pas seancës për bandën e Cërrikut, Visha pohoi se 50 avokatë shtetërorë kanë mbi 8 muaj që nuk paguhen nga shteti për punën që bëjnë. Pavarësisht kësaj, theksoi Visha, avokatët kanë marrë pjesë dhe janë prezentë në të gjitha gjyqet ku janë thirrur. Në një letër drejtuar autoriteteve të vendit dhe atyre të Drejtësisë, mbrojtësit ligjorë kanë paralajmëruar se nëse nuk zgjidhet problem i pagesave, atëherë do të shpallin bojkot pa afat dhe protestës së tyre do t’i bashkohen edhe avokatët e tjerë mungesa e të cilëve në gjyqe mund të fuste në kolaps sistemin gjyqësor. Situata bëhet më problematike për Tiranën, pasi 40 avokatë të papaguar ndodhen pikërisht në Tiranë.
Apeli i Krimeve të Rënda përgjysmon dënimin për Ilir Pajën
Ilir Paja, shqiptari që mundi të arratisej dy herë nga burgjet italiane, është dënuar vetëm me 6 vjet e tetë muaj nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë. Pesëshja gjykuese ka vendosur t’i përgjysmojë dënimin të pandehurit Paja, duke e cilësuar fajtor për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje. Gjykata ndryshoi edhe klasifikimin e akuzës, nga plagosje për shkak të detyrës, në plagosje. Ilir Paja ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ngjarja për të cilën dënohet Ilir Paja ka ndodhur me 6 mars 2008 pranë ish-farmacisë 10. Tentativa për t'u shpëtuar sërish prangave të policisë e ka detyruar të shumëkërkuarin të përplasë me automjet një agjent policie që i kishte "zënë" rrugën, por kolegët e tij e kanë qëlluar me pistoletë duke e lënë edhe atë të plagosur. Në operacion mbeti i plagosur agjenti Bledi Haxhimali. Ilir Paja u bë i njohur për arratisjet e tij nga burgjet e Italisë. Arratisja e parë e shqiptarit u krye në qershor të vitit 2006 kur ai kishte rreth gjashtë muaj që ishte izoluar në Burgun e Peruxhias. Me çarçafët e dhomës ai krijoi një litar rreth dhjetë metra të gjatë dhe më 11 qershor të vitit 2006 kur ai bashkë me të burgosurit e tjerë kishin dalë në oborrin e burgut gjatë orës së ajrimit, u arratis. Më shumë se tre muaj zgjati liria e Pajës në arrati, pasi policët e arrestuan sërish në një nga provincat e Milanos. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe Paja do të arratisej sërish. Teksa po transferohej me një ambulancë nga njëri burg tek tjetri ai ka përfituar nga një ndalesë në autostradë për t'iu shmangur rojeve të policisë dhe të arratisej. Në Itali Ilir Paja akuzohej për vrasje, trafik droge, vjedhje të vilave, rrëmbim personi, dhunë seksuale dhe shfrytëzim prostitucioni. Arrestimi i tij në Itali u bë me kërkesë nga Policia gjermane për një vrasje në Duisburg të Gjermanisë.
7 Prill 2010