Deklarimi elektronik, 2 mijë biznese nuk i kanë plotësuar librat e shitblerjeve
Ervin KOÇI
Deklarimi elektronik i procedurave fiskale ka lënë jashtë rreth 2 mijë biznese subjekte të TVSH-së, të cilët nuk kanë mundur që të kryejnë brenda afatit të caktuar këtë procedurë. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nga rreth 15 mijë tatimpagues, të cilët sipas legjislacionit tatimor në fuqi, kishin detyrimin për të dorëzuar në mënyrë elektronike librat e shitjes dhe blerjes, deri në orën 24:00 të datës 5 prill 2010 (kur përfundonte afati ligjor i deklarimit), dorëzuan formularët e tyre vetëm 13 mijë tatimpagues. Kjo shumë e shprehur në përqindje zë rreth 90 për qind të bizneseve të përfshira në skemën e TVSH-së, çka është konsideruar si një shifër optimale nga kreu i Tatimeve, Artur Papajani. Sipas tij, “deklarimi elektronik i librave të shitjeve dhe blerjeve, është një formë që është aplikuar për herë të parë nga administrata tatimore”. Deklarimi elektronik synon të eliminojë kontaktet e drejtpërdrejta mes biznesit dhe tatimorëve, por edhe të marrë në kohë reale informacionin për shitjet dhe blerjet që bën subjekti privat, çka pritet të çojë në ulje të evazionit fiskal. Praktika e deklarimeve on-line të detyrimeve do të përdoret gjatë muajve të ardhshëm edhe për biznesin e vogël. “Sfidat e mëdha të teknologjisë së informacionit të cilat kjo administratë është e detyruar dhe e ndërgjegjshme për ti zbatuar, janë ato që kanë të bëjnë me deklarimin madhor elektronik të tatimpaguesve përfshirë edhe ato të biznesit të vogël”- theksoi më tej Papajani. Kreu i Tatimeve u ka bërë apel edhe pjesës së mbetur të bizneseve në skemën e TVSH-së, që të bëjnë deklarimin elektronik.
Sanksionet
Edhe pse afati i deklarimeve ka përfunduar dy ditë më parë, Administrata Tatimore i ka kërkuar Ministrisë së Financave që ndaj këtyre tatimpaguesve të mos vendosen penalitete, përderisa mënyra e deklarimit on-line është përdorur për herë të parë këtë muaj. Kjo gjë ka pasur lidhje dhe me mbingarkesën e rrjetit të tatimeve, i cili gjatë datës 5 prill rezultoi të ishte i bllokuar për shkak të fluksit të lartë të aplikimeve. Shqetësim për biznesin janë gjobat, në rast se nuk e bëjnë deklarimin në kohë, edhe nëse nuk punon sistemi. Por duke qenë hera e parë e zbatimit të sistemit të ri, tatimet mund të bëjnë lëshime në marrjen e sanksioneve. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të regjistruara pranë drejtorive rajonale tatimore, duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave tatimore dhe të librave të blerjes e të shitjes, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga periudha tatimore, nga data 1 mars 2010. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale për biznesin e vogël duhet të bëjnë dorëzimin e deklaratave tatimore, vetëm nëpërmjet formës elektronike, duke filluar nga data 1 korrik 2010.
Avantazhet e deklarimit
Deklarimi elektronik i tatimeve ju kursen kosto administrative si në kohë, ashtu dhe në burime njerëzore, duke reduktuar numrin e vizitave në zyrat e tatimeve. Ju mund të plotësoni deklaratat tatimore në kompjuter dhe t’i dorëzoni ato nëpërmjet internetit. Ju keni gjithashtu mundësinë që të bëni pagesën elektronike nëpërmjet sistemit e-banking, ose mund të shkoni në bankë për të bërë veprimet e nevojshme. Të gjithë tatimpaguesit në të gjithë Shqipërinë kanë mundësinë të deklarojnë elektronikisht detyrimet e tyre tatimore. Të gjitha komunikimet që kryhen në sistemin e deklarimit elektronik të tatimeve janë të “enkriptuara” (të mbrojtura) në bazë të standardeve ndërkombëtare. Informacioni që futet në këtë sistem është i njëjtë me atë të dërguar në mënyrën tradicionale shkresore, por niveli i sigurisë është shumë më i lartë, kjo për arsye se ekzistojnë rregulla të qarta dhe të prera për sa i përket procedurave të hyrjes në serverin ku ai ndodhet. Për më tepër, të gjitha veprimet që kryhen lenë gjurmë dhe mund të kontrollohen në çdo kohë. I gjithë informacioni që ndodhet në sistem
7 Prill 2010