Zjarr në autobusin Athinë-Tiranë, tmerr mes pasagjerëve
KAPSHTICË - Një autobus i linjës Tiranë–Athinë dhe anasjelltas ka marrë flakë mesditën e djeshme, duke rrezikuar seriozisht jetën e 8 udhëtarëve. Ngjarja i është raportuar edhe Policisë Kufitare shqiptare në Kapshticë, ku kishte ndalesën e pritshme autobusi me destinacion Tiranën. Konfirmohet se zjarri ka rënë në rrugën shtetërore Athinë – Selanik, pak para vendit të quajtur Shën Theodhoros, në Ftiotida, rreth 1.5 orë larg kufirit Greqi-Shqipëri. Burimet policore greke bëjnë të ditur se në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore dhe zjarrfikës lokalë, por edhe përforcime nga zonat e Stilidhës dhe Almirosë. Në momentet kur ka marrë flakë krejt papritur autobusi, tetë prej pasagjerëve kanë qenë në zonën ku zjarri shpërtheu dhe kanë pësuar djegie. Bëhet e ditur se vatra e tij ka nisur në pjesën e pasme të autobusit nga motori dhe është zgjeruar menjëherë duke depërtuar te ndenjëset e tetë personave që gjendeshin në fund të tij, por pa ua rrezikuar jetën atyre. Shoferi ka ndalur autobusin dhe së bashku me ndihmësin e tij kanë nxjerrë jashtë të gjithë udhëtarët, duke shmangur një tragjedi. Ndërkohë, autobusi është djegur plotësisht. Mësohet se pasagjerët, pas mjekimit në spital, do të vazhdojnë udhëtimin me një tjetër autobus në drejtim të Tiranës.
Ndalohen 35 veta për vrasjen në Tiranë, rrëfen i plagosuri që punonte baterist
TIRANË – Më shumë se 35 persona janë shoqëruar në polici mbrëmjen e së hënës rreth vrasjes së Elton Lulos, ndërsa është marrë në pyetje personi që mbeti i plagosur në lokal. Burime për gazetën bëjnë të ditur se 27-vjeçari Bledar Caca, i cili mori një plumb në krah, ka dëshmuar skenën e ngjarjes. Ai është i punësuar si baterist në orkestrën e lokalit me emrin “Cosmos”, që ndodhet në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë. I lënduari, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në mjediset e Spitalit Ushtarak, ka pohuar se në lokal vinin shumë femra, gjë që ka ngritur dyshimet tek agjentët e krimeve që krimi mund të ketë ndodhur për motive xhelozie. Por nuk përjashtohen as pista të tjera hetimi.
Që prej mbrëmjes së datës 5 prill, policia ka shoqëruar në mjediset e komisariatit të paktën 35 persona, ku pjesa më e madhe kanë qenë në vendin e ngjarjes. Policia bën me dije se pas hetimeve të zhvilluara rezultoi se viktima ishte i punësuar si menaxher pranë bar “Ap...”, ku gjatë momenteve të ngjarjes viktima ka qenë në tavolinë së bashku me mikun tij, Bledar Caca te bar “Coz...”. Burimet zyrtare nga Policia thanë se nga strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vazhdon puna në drejtim të dokumentimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje për të zbardhur motivin dhe kapjen e autorëve.
Moskallëzimi i vrasjes në Shkodër çon në pranga 35-vjeçarin
SHKODËR – Edhe një person tjetër është arrestuar për vrasjen që ndodhi të dielën në mbrëmje në komunën e Shalës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ditën e hënë, rreth orës 20:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Lush Pjolli, 35 vjeç, banues në fshatin Vuksanaj. Sipas tyre, ndalimi i Pjollit u bë për veprën penale të “moskallëzimit të krimit” për vrasjen që ndodhi të dielën në komunën Shalës, në të cilën gjeti vdekjen 24-vjeçari Zek Tonaj dhe u plagos shtetasi Ndue Tonaj. “Nga ana jonë u kryen veprimet e duhura procedurale dhe materialet në ngarkim të shtetasit Lush Pjolli i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia.
Abuzoi me thirrjet telefonike, burg 25-vjeçares në Krujë
KRUJË – Nuk paguan gjobën e dhënë nga gjykata, por ajo konvertohet në 20 ditë burg, duke u shpallur në kërkim policor. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se vendimi është shpallur ditën e djeshme nga trupa gjykuese, e cila shqyrtoi dosjen penale në ngarkim të shtetases Rolanda Kallmeti. Po dje, prokuroria i kaloi policisë për ekzekutim urdhrin e ndalimit për 25-vjeçaren Kallmeti. Fillimisht gjykata vendosi dënimin e saj me 1 milion lekë gjobë për veprën penale të “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”, por pasi e pandehura e refuzoi këtë dënim, duke thënë se nuk kishte mundësi ta shlyente shumën e parave, trupi gjykues vendosi konvertimin e gjobës me burg. Çështja penale në ngarkim të Kallmetit nisi pasi në Policinë e Krujës u bënë disa denoncime nga qytetarët që tregonin se vajza kishte kryer thirrje telefonike duke i cenuar marrëdhëniet e tyre familjare. Ky është rasti i parë kur një person dënohet me burgim për akuzën e përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike. Policia e Krujës ka nisur punën për identifikimin dhe ndalimin e Rolanda Kallmetit, e cila do të duhet të vuajë në qeli 20 ditë.
7 Prill 2010