Hoxha: Janë denoncuar nga qytetarët - reformë në Inspektoratin Ndërtimor

Masakra urbane dhe betonizimi i Tiranës, Policia Bashkiake vazhdon prishjen e ndërtimeve pa leje
Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Tiranës, nisi dje prishjen e disa shtesave pa leje, në zonën e Saukut. Policia Bashkiake pasi ka konstatuar ndërtimet pa leje, ka bërë bllokimin e tyre, ka dorëzuar akt-kontrollin dhe ka njoftuar subjektin përkatës. Drejtori i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha deklaroi se aksionet po vijojnë me ritëm të shtuar në të gjithë territorin e kryeqytetit. “Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës ka nisur aksionet për prishjen e disa objekteve pa leje në zonën e Saukut, e njohur për këtë problematikë. Ne po vijojmë me kohë të plotë duke punuar edhe gjatë fundjavave” - tha Hoxha.
Drejtori i Policisë Bashkiake tha më tej se janë evidentuar mbi 200 ndërtime pa leje në kryeqytet, për të cilat është kërkuar bllokimi i tyre, ndërsa deri më sot janë ndërmarrë aksione për prishjen e mbi 20 ndërtimeve të jashtëligjshme. Shumica e këtyre ndërtimeve pa leje janë denoncuar nga qytetarët në Bashkinë e Tiranës, përmes një numri telefoni që është vënë në dispozicion për këtë çështje. Ndërsa duke komentuar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të 51 inspektorëve të tatim taksave të bashkisë së Tiranës, kreu i Policisë Bashkiake Hoxha, ka theksuar edhe një herë se do të largohen nga puna të gjithë ata inspektorë që nuk kryejnë detyrën. Masakra urbane e trashëguar nga ish kryebashkiaku Edi Rama, duket se do kohë të kthehet në gjendje normale. Megjithë vështirësitë, Policia Bashkiake është vënë në krye të aksionit për të liruar hapësirat e zëna nga babëzia e betonit dhe për t’i kthyer ato në shërbim të komunitetit dhe taksapaguesve të kryeqytetit.