PS-në e drejtojnë ata që i përulen Kryetarit, po shkojmë në 2013-ën pa program dhe pa vizion

Rriten tensionet në PS. Malaj: PS duhet të funksionojë si parti institucionale, ri-bojkotimi i parlamentit do ishte fatale
Deputeti dhe anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj në vijim të turit të tij “Bashkëbisedim me socialistët”, u ndal dje në qytetin e Kuçovës, ku zhvilloi një takim informues me përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe qytetarë të interesuar për tu përfshirë në diskutimin kombëtar mbi “Modernizimin e partive politike” si parakusht për progresin e gjithanshëm të vendit. Deputeti Malaj ndau me pjesëmarrësit, vizionin e tij mbi domosdoshmërinë e modernizimit të sistemit politik në Shqipëri, duke i ftuar ata të kontribuonin me ide dhe sugjerime konkrete mbi mënyrat për transformimin e politik-bërjes shqiptare në mision qytetar dhe politik. Gjatë takimit u diskutuan rreth disa shqetësimeve kryesore, duke prezantuar dhe ide konkrete për modernizimin e partive politike. Malaj trajtoi gjerësisht situatën aktuale brenda Partisë Socialiste, duke konstatuar se metodika e drejtimit të PS-së nga Rama, nuk është ajo që duan socialistët apo edhe ajo që i përgjigjet interesit kombëtar, përmes reformave dhe dialogut në parlament. Sipas Malajt, PS sot drejtohet nga ata që i përulen Kryetarit, duke konfirmuar kështu modelin më të dështuar politikëbërës të një force politike opozitare. Ai thotë gjithashtu se çdo tendencë radikalizuese në PS, çdo debat shterpë midis brezave, çdo debat për besnikë dhe jo besnikë, çdo parcelizim i elektoratit të majtë, janë pengesat e PS-së. “PS duhet të krijojë qysh në opozitë modelin e një force politike moderne që të mund të qeverisë ndryshe Shqipërinë. Kjo kërkon që PS të rrisë efikasitetin e saj elektoral, mbështetja e drejtpërdrejtë për PS duhet të zgjerohet ndjeshëm, aleatët e PS duhet të rriten më shumë se çdo herë tjetër, koalicioni i partive politike të spektrit të majtë duhet të jetë qartësisht fitues. Ndaj çdo tendencë radikalizuese në PS, çdo debat shterpë midis brezave, çdo debat për besnikë dhe jo besnikë, çdo parcelizim i elektoratit të majtë, janë pengesat tona reale, janë rrënjët e zgjatjes së pushtetit të Berishës. Viti 2013-ë është shume afër, çdo paqartësi në vizionin e fitores, çdo çoroditje në strategjinë e fitores, çdo tendence për të krijuar forume politike mbi bazën e përulësisë ndaj kryetarëve, dëmtojnë rëndë suksesin tonë elektoral”- u shpreh deputeti socialist Malaj.
Malaj e cilësoi si gabim të Partisë Socialiste ndryshimin e Kushtetutës 3 vjet më parë. Sipas tij, amendimi që iu bë ligjit themeltar të shtetit, solli brishtësinë e institucioneve si dhe fuqizoi rolin e Kryetarit të Partisë, duke dëmtuar kështu demokracinë e brendshme të partive politike. “Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 jo vetëm dëmtuan rëndë ndarjen e pushteteve, por duke ndryshuar sistemin zgjedhor ne sistem proporcional me lista të mbyllura rritën pushtetin absolut të kryetarëve të partive, larguan të zgjedhurit nga votuesit e tyre, dëmtuan demokracinë e brendshme të partive, krijuan modelin e partive të Kryetarëve, të cilët kanë si qëllim kryesor mbijetesën e tyre individuale. Kjo ka reduktuar demokracinë e drejtpërdrejtë në vendin tonë. Kjo ka dëmtuar cilësinë e përfaqësuesve tanë në mandatet politike, kjo ka rritur agresivitetin politik. Sot vendi vuan pasojat e dështimeve politike” - tha Malaj. Më tej, ai vijoi me prezantimin e platformës politike para qindra të rinjve, duke shtuar se progresi i Shqipërisë varet nga “eliminimi i krizës politike, lufta kundër papunësisë dhe varfërisë, rritja e cilësisë së shërbimeve publike, lufta kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, ndalja e largimeve dhe emërimeve politike në marrëdhëniet e punës, rritja e besimit dhe mbështetjes publike, janë sfida të rëndësishme të vendit”. Këto takimet bashkëbiseduese deputeti Malaj do t’i vijojë edhe në qytete të tjera të vendit, për të trajtuar këto çështje më të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit e për të dëgjuar mendimet e tyre.
Platforma “Malaj”
“Përballë këtyre sfidave PS ka një rrugë të vetme, të fillojë pa vonese modernizimin e saj, të hapë realisht dhe cilësisht PS-në, të kufizojë pushtetet e përqendruara në parti apo në përfaqësuesit e saj në pushtetin vendor, të kufizojë numrin e mandateve politike të përfaqësuesve të PS në qeverisjen vendore dhe qendrore. Meritokracia dhe përkushtimi duhet të jenë në themel të karrierës politike dhe jo “besnikëria” ndaj kryetarit. Anëtarësia e PS duhet të ketë më shumë akses dhe pushtet të drejtpërdrejtë për të përzgjedhur përfaqësuesit e saj politikë në çdo nivel. Të kufizohet në maksimum konflikti i interesit i të mandatuarve të Partisë Socialiste. Të ndalet mandatimi nga lart i kandidatëve për kryetarë komune dhe bashkie, të importuar nga jashtë njësive vendore ku ata do të konkurrojnë. Të maksimizojë efikasitetin e forumit rinor dhe të gruas, duke u dhënë atyre mbështetjen maksimale të vetorganizimit dhe tu rrisim mundësinë që këto forume të përzgjedhin dhe propozojnë përfaqësuesit e tyre në mandatet politike në nivel vendor dhe qendror”.