E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kombet nuk mund të jenë të lira, në rast se ato përdorin besimet për qëllime politike

28-08-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha shtron iftar për besimtarët myslimanë në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, ndanë me njëri-tjetrin përvojën e përpjekjeve të përbashkëta shekullore për harmoninë fetare, e cila edhe pas ’90, u konsolidua në sajë të respektimit të traditës më të shkëlqyer të klerikëve, të cilët sakrifikuan dhe u martirizuan për të mbrojtur me dinjitet vlerat universale të njeriut

Kryeministri Sali Berisha shtroi dje në mbrëmje një iftar për besimtarët myslimanë në nderim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Me këtë rast, në një prej rezidencave qeveritare u mblodhën së bashku drejtues të komunitetit Mysliman të Shqipërisë, kryetari i këtij komuniteti, haxhi Selim Muça, të kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, myfti, imamë, intelektualë islamë, drejtues të tjerë të Bashkësive fetare si, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, përfaqësues të Komunitetit mysliman të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE në vendin tonë, z. Ettore Sequi, përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik, si dhe ministra e përfaqësues të pushtetit lokal. Kryeministri Berisha ftoi kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça të çelte iftarin dhe më pas përshëndeti të ftuarit, duke i falënderuar komunitetet fetare që pranuan të bashkohen në darkën e iftarit, si dhe përcolli mesazhe për besimtarët myslimanë për muajin e madhërueshëm të Ramazanit. Kryeministri Berisha vlerësoi se udhëheqësit e besimeve fetare të kombit shqiptar, kanë kristalizuar traditën e shkëlqyer të tolerancës dhe mirëkuptimit fetar. “Dua t’u falënderoj me shumë mirënjohje që pranuat të bashkohemi së bashku në këtë iftar, për të shprehur nderimin tonë më të thellë ndaj jush dhe të gjithë atyre që me përkushtim të madh ndaj zotit, agjëruan në muajin e madhërueshëm të Ramazanit, si një detyrim, si një sakrificë për të nderuar sakrificën njerëzore, për të dëshmuar përkushtimin, ndaj zotit dhe vlerave hyjnore. Unë gjej rastin të shpreh nderimin tim më të madh ndaj jush udhëheqës të komuniteteve fetare myslimane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e kudo, por ndaj të gjithë udhëheqësve të besimeve fetare të kombit shqiptar. Ju, në shekuj keni kristalizuar, keni konsoliduar në Shqipëri, traditën më të shkëlqyer të tolerancës dhe mirëkuptimit fetar.
Ju keni bërë që për shqiptarët vlerat, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe vlerat hyjnore të jenë në një harmoni të plotë. Ju keni faktuar se liritë dhe të drejtat universale janë të njëjta për të gjitha besimet fetare dhe se shqiptarët pavarësisht nga besimet e tyre kanë këto vlera, si vlera më eprore”- u shpreh kryeministri Berisha. Ai vlerësoi se në historinë e shqiptarëve, besimet fetare s’kanë qenë asnjë objekt dhe shkak konflikti, duke konfirmuar kështu tolerancën e jashtëzakonshme fetare në Shqipëri. “Unë jam i bindur se në këtë vlerë të madhe qëndron edhe mesazhi më i shkëlqyer që shqiptarë përcjellin tek kombet e tjera. Në historinë e shqiptarëve besimet fetare nuk kanë qenë asnjëherë shkak konfliktesh, luftërash apo përballjesh politike. Sot, fatkeqësisht, sërish ka përplasje, sërish ka përpjekje për përdorimin e librave të shenjtë dhe përdorimin e besimeve për interesa të caktuara politike. Kombi shqiptar fakton se kombet nuk mund të jenë të lira, në rast se ato përdorin besimet për qëllime politike, ndaj dhe unë shpreh nderimin e madh ndaj jush sepse ecët në gjurmët, në traditën më të shkëlqyer të paraardhësve tuaj , të cilët sakrifikuan, të cilët u martirizuan për të mbrojtur me dinjitet këto vlera”- tha kryeministri.
Në këtë drejtim, Berisha citoi para përfaqësuesve të komuniteteve fetare një histori të dy grupeve njerëzish, të një grupi shqiptarësh që u sakrifikuan për besimin tek zoti dhe të një grupi tjetër, i cili sa ishte në pushtet luftoi egërsisht kundër vlerave fetare. Por, fundi i këtyre dy grupeve ishte i njëjtë, të dy u ndeshën me dhunën dhe shpërfytyrimin e diktaturës. “Dua tu rrëfej diçka. Gjatë pushimeve kam lexuar memorie, dokumente të dy grupeve njerëzish, të një grupi qytetarësh shqiptarë, të cilët u sakrifikuan për besimin tek zoti, tek vlerat hyjnore dhe të një grupi tjetër, i cili sa ishte në pushtet luftoi egërsisht kundra tyre. Me duhet të them se të dy grupet pësuan fundin më tragjik, të dy këta grupe njohën hanxharët e diktaturës, por ata që u flijuan për besimin tek zoti, ata vdiqën si njerëz. Do të citoj fjalët e njërit prej tyre: “Gjyqi që më dënoi me vdekje kërkoj ta falësh, po vdes krenar për besimin tim”. Mjerisht, disa prej tyre, në grupin tjetër, me fjalët e tyre të fundit, në rast se ato janë të vërteta, më duhet të them se jetuan si skllevër dhe vdiqën si të tillë”- theksoi Berisha. Sipas tij, besimi tek zoti është një forcë e madhe, e jashtëzakonshme e njeriut, përbën një forcë të pashtershme shpirtërore të përkushtimit të tij për vete, për familjen, për vendin, për shoqërinë. “Ndaj dhe unë dua të ngre një dolli për ju, për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, që kanë agjëruar muajin e madhërueshëm të ramazanit, për të gjithë besimtarët e zotit”- përfundoi përshëndetjen e tij, kryeministri Sali Berisha, në prani të të gjithë grupimeve fetare në vendin tonë si dhe të përfaqësive diplomatike të SHBA-së dhe BE-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›