E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Në takimin me Withers s’kam përmendur Shkëlzen Berishën

TIRANË- Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha nëpërmjet një deklarate të bërë sot publike për mediat, hedh dritë mbi një prej publikimeve të Wikileaks ku flitet për një takim mes tij e ambasadorit Withers në vitin 2008, pas shpërthimit të Gërdecit.

Duke iu referuar publikimeve në media, gjenerali Hoxha dëshmon se në atë takim nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit Berisha, as në lidhje me Gërdecin dhe as për punë të tjera.

“Duke konfirmuar këtë takim si konfidencial e kortezie që unë në cilësinë e ish Shefit të Shtabit kam pasur me ish ambasadorin John Ëithers, dëshiroj të sqaroj se: Gjatë këtij takmi, nga ana ime nuk është përmendur emri i z. Shkëlzen Berisha, as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe as për çështje të tjera pune që u trajtuan miqësisht e konfidencialisht”, thotë Hoxha në reagimin e tij.

Ai sqaron më tej se ka dëshmuar në lidhje me shpërthimin e Gërdecit me vullnetin e tij të lirë para institucioneve përkatëse dhe kjo sipas tij është dëshmia e tij e vetme për këtë ngjarje.

“Shpjegimin tim mbi përgjegjësitë, procedurat, dhe rrethanat e fatkeqësisë teknologjike të Gërdecit, unë i kam dhënë me vullnetin tim të lirë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Prokurori, dhe në Gjykatë, duke u bazuar në të vërtetën dhe ligjin. Përtej çdo spekullimi, kjo ngelet dëshmia ime e plotë dhe e vetme mbi këtë ngjarje”, tha Hoxha më tej.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›