E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të provuara apo jo, amendamenteve “po”

Ndonëse Kuvendi i Shqipërisë filloi punimet në sesionin e dytë të këtij viti, duke shpresuar me pjesëmarrje të plotë deputetësh dhe me të gjitha kapacitetet. institucionale të tij, pikëpyetjet rreth hapësirave ku do të shtrihen këto kapacitete nuk janë retushuar ende. Ashtu sikurse opozita ka bërë të ditur që do të marrë pjesë aktivisht në përpilimin sa më të saktë dhe në miratimin sa më unanimisht të një sërë aktesh legjislative (përfshirë edhe ato kushtetuese) të domosdoshme për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE, një ditë përpara seancës së parë plenare u deklarua i gatshëm edhe lideri i maxhorancës parlamentare që të sigurohet bashkëpunimi me opozitën për konsolidimin e shtetit ligjor dhe demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve. Por, sesa dhe sesi ky i fundit do ta mbajë fjalën këtë herë gjatë gjithë procesit legjislativ të shumëpritur, kjo vështirë të pohohet me plot gojën qysh tani.
Sepse, pavarësisht retorikave të ndezura dhe “përbetimeve” solemne, një dilemë e tillë është e ngjizur nga përvoja politike disa vjeçare. Ndërsa në këto radhë, ajo nuk i shqitet hamendësimeve edhe nga fakti që, pikërisht në prag të nisjes së sesionit, ministri i Drejtësisë ishte ai që, në vazhdë të pretendimeve të kolegëve të tij të krahut të djathtë parlamentar, gjatë një interviste dhënë ATSH – së u shpreh, se amendamentet në Kushtetutë s’bëhen pa u provuar efektet e ndryshimeve që iu bënë Asaj në vitin 2008, se “çdo ligj, përfshi edhe ligjin bazë që është Kushtetuta, mund të ndryshohet vetëm nëse një nen i saj, një klauzolë e saj, një mekanizëm kushtetues mund të prodhojë të meta” (?!).
Megjithëse ky deklarim duhet marrë me rezerva, ngaqë bëhet prej një deputeti që thonë se nuk gjen frymëzim te Kushtetuta, të cilit iu ‘dhurua’ prej shefit të tij karrigia e ministrit thjesht nga pasioni që shfaqi apo gatishmëria që tregoi për të drejtuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti një komision parlamentar hetimor i ngritur e zvarritur nga maxhoranca në mënyrë antikushtetuese, sidoqoftë diskutimi dhe miratimi i një pakete amendamentesh të Ligjit Themelor të shtetit mbetet një problem ngutësisht i hapur. Prandaj, edhe debati rreth zgjidhjes së tij mund të vazhdojë të zërë vend në media, krahas zhvillimit këtej e tutje në sallën e Kuvendit të ballafaqimeve rreth kësaj teme.
Por, “argumenti” i mësipërm i këtij deputeti – ministër duket si tepër ambicioz në mënyrën e refuzimit, përderisa me një të rënë të lapsit synon të eliminojë rëndësinë e doktrinës konstitucionale dhe të disa parimeve kushtetuese, si ndarja dhe balancimi i pushteteve; të injorojë mesazhet ndaj parandalimit të efekteve të dëmshme për shtetin e shoqërinë; të zhbëjë vlerat e pamohueshme të përvojës së vendeve të tjera me demokraci të zhvilluar; të përqeshë seriozitetin e vërejtjeve të formuluara për nene të veçanta nga juristë të njohur që janë marrë dhe merren posaçërisht me të drejtën kushtetuese. Aq më tepër të paarsyeshme mund të kategorizohen “rekomandimet” e ministrit, kur bëhet fjalë më së shumti për të korrigjuar ndryshimet që iu bënë Ligjit tonë Themelor në prill të 2008 – s, të cilat nuk u shqyrtuan as në ndonjë komision të posaçëm dhe as në takime me ekspertë nga shoqëria civile, por u bënë fët e fët brenda një nate me hënë jo të plotë, për të ndryshuar rëndesën reale të disa institucioneve kushtetuese dhe raportet e rregullta midis organeve më kryesore të shtetit, duke shkaktuar kështu reagim negativ të opinionit publik, veçanërisht të një numri specialistësh të kualifikuar të kësaj fushe. Përkundër proceseve të kujdesshme dhe me pjesëmarrje të gjerë që shoqëruan hartimin dhe miratimin e variantit përfundimtar të tekstit të Kushtetutës, i cili në vitin 1998 iu nënshtrua, përveç votimit në Kuvendin e Shqipërisë, edhe referendumit popullor.
Mirëpo, duke qëndruar besnik, konsekuent në shprehjen e opinionit të planit personal apo të atij të diktuar nga lart (bashkimi i vetvetishëm i tyre në të njëjtën pistë s’ka ku shkon më keq), deputeti – ministër na konstaton sikur të jetë në jerm, se: “Kushtetuta e ndryshuar në vitin 2008 nuk ka prodhuar akoma efektet e saj. Duhet të prodhohen efektet e saj, të aplikohet dhe mbasi të aplikohet nëse do të sillte probleme do të rishikohej, por ajo nuk është aplikuar akoma”. Po të jetë e vërtetë kjo që thotë ai, logjika më elementare ta do që këtë here nuk ka përse refuzohet fare të bëhen, së paku retushimet e atyre gabimeve të 2008 – s, dhe aq më pak të pritet për të provuar rezultatet e tyre dhe të thellohen më tej praktikat e gabuara në referimin thjesht literal të disa dispozitave të Ligjit Themelor. Tashmë, realiteti që deputeti – ministër e anashkalon apo e shpërfill, një tablo tjetër paraqet, që i shtyn menjëherë edhe qytetarët e thjeshtë të pyesin më së pari njëri – tjetrin: Mos vallë me pritje të efekteve të ndryshimeve të 2008 – s domethënë të pritet një herë zgjedhja e një Presidenti të Republikës jo konsensual, veçse me pëlqimin e maxhorancës së brishtë parlamentare (në mos vet lideri i saj) dhe pastaj shohim e bëjmë?
Ndonëse, Kushtetuta përcakton në nenin 86/1 që Presidenti i Republikës është kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit, nëpërmjet ndryshimeve të bëra një vit e gjysmë përpara zgjedhja e tij gjatë tre votimeve të para me shumicë të cilësuar, më së shumti i ngjan një formaliteti protokollar. Sepse, faktikisht, në kushtet e krijuara që kanë ndikuar edhe për ta trembur Presidentin aktual të ushtrojë funksionet e veta, rezultati real mund të jepet gjatë votimit të katërt ku parashikohet zgjedhja me shumicë absolute, që përputhet me atë qeverisëse. Kështu që është e domosdoshme të rivendoset parimi i zgjedhjes së Presidentit me shumicë të cilësuar (tri të pestat) qoftë në raundin e parë, qoftë edhe në atë të dytë, gjatë të cilave deputetët do të kishin kohë t’i thërrisnin mendjes për të mos e shpënë punën deri në shpërndarjen e Kuvendit, rrjedhimisht në vetëndërprerjen e mandatit të tyre.
Më tej akoma, realiteti tregon se, me riformulimin që iu bë atëherë nenit 104 të Kushtetutës nëpërmjet miratimit të ligjit nr. 9904, datë 21.04.2008, kryeministri ka marrë tagra të plota për të vendosur mbi fatin e Legjislativit, veçanërisht kur shumica parlamentare që e ka emëruar nuk e përkrah më tej veprimtarinë e tij. Por, edhe kur kryeministri gëzon mbështetjen e plotë të maxhorancës dhe “i hapet oreksi” për një tjetër në legjislaturën e ardhshme, nuk e ka për gjë të provokojë në momentin e duhur për interesin e vet zgjedhje të parakohshme, nëpërmjet paraqitjes prej tij të mocionit të besimit, duke udhëzuar deputetët e krahut apo të koalicionit që kryeson të abstenojnë votimin e atij mocioni, çka do të sillte shpërndarjen e Kuvendit. Kështu, me të drejtë theksohet tani që nëpërmjet ndryshimeve të bëra, sidomos këtij neni dhe më tepër në mënyrë formale atij pasues (105), Kryeministri aktual konsiderohet edhe formalisht zot i Kuvendit të Shqipërisë, çka është reflektuar praktikisht gjatë më se një viti në përforcimin e mëtejshëm dhe mjaft abuziv të pozitës së tij, në spikatje gjithnjë e më tronditëse të tipareve negative të këtij personi. Pikërisht, si për të na kujtuar çdo ditë e çdo orë atë që thoshte dikur Marsel Prusti, se një mjek nga gabimet e tij mund të shpjerë drejt vdekjes së sigurt një njeri, ndërsa një qeveritar nga fajet e veta mund të marrë më qafë një popull të tërë.
Sidoqoftë, edhe nëse opozita nuk e vuri shqyrtimin dhe miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese si kusht sine qua non për pjesëmarrjen e saj aktive parlamentare gjatë vitit të tretë të kësaj Legjislature, kjo paketë assesi nuk mund të nënvlerësohet apo të anashkalohet nga zhvillimi me ritme të shpejta i procesit legjislativ, me anë të të cilit synohet të plotësohen pa vonesë edhe 12 prioritetet e Komisionit Europian, si kriter për ofrimin Shqipërisë të statusit zyrtar të vendit kandidat në BE. Sepse, për shembull, sado që të punohet për reformën zgjedhore, ndoshta më së pari do të duhej të vihej dorë mbi nenin 64 të Kushtetutës, për të përcaktuar një sistem më efektiv në zgjedhjen e trupës së anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë. Më tej, nëse kërkohet t’i vihet fre partitokratizmit dhe autokratizmit të theksuar në kushtet e Shqipërisë, sigurisht që do të duhej të sanksionohej dhënia e pëlqimit nga Kuvendi për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese me një shumicë votash prej dy të tretash, sipas modelit të kushtetutave të Gjermanisë dhe Spanjës. Ndërkohë që, kur gjendja e mjerueshme e vendit dikton thellimin pa mëdyshje të luftës kundër korrupsionit, dhënia e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë është e domosdoshme të jepet me shumicë të cilësuar votash prej dy të tretash. Përcaktimi i këtij kuorumi do të ishte i vlefshëm për të ravijëzuar njëkohësisht integritetin e profilit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe atë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Nuk është vendi këtu të zgjatemi për nevojën e suprimimit të imunitetit parlamentar dhe të disa ndryshimeve të tjera kushtetuese, që kërkojnë gjithashtu shqyrtime të kujdesshme dhe profesionalisht të larta. Për lexuesin e zakonshëm, ndoshta më e rëndësishme është t’i krijohet bindja, se nuk do të përsëritet më një tjetër krizë politike e zgjatur si ajo që po lihet pas, e cila vitet e fundit është bërë shembulli më konkret i idesë së shprehur qartë nga konstitucionalisti francez, Dominik Ruso, sipas të cilit, mundësinë për të vendosur në çdo vend e ka koalicioni maxhoritar; mundësinë për të penguar po ashtu në çdo vend, e ka opozita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›