Hoxha, puna e kreut të Tatimeve nis nga gjykata
TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, e filloi ditën e djeshme “të punës” në bankën e të akuzuarit për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës. Në orën 8:47 minuta të mëngjesit së djeshëm, makina e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve hyri në oborrin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, brenda të cilës ndodhej i pandehuri Arben Sefgjini, bashkë me avokatin e tij dhe shoqëruesin personal. Ndërkohë, vetëm pak minuta më parë, pranë kësaj gjykate kishte ardhur nën shoqërimin e avokatit të tij mbrojtës i pandehuri Avni Koldashi, i cili disa ditë më parë rrëfeu për mediat shoqërimin e Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës, të kryer sipas tij nën urdhrat e Arben Sefgjinit. Seanca gjyqësore filloi në orën 9:00 dhe zgjati jo më shumë së 45 minuta, kohë e cila i mjaftoi togave të zeza të kryesuara nga gjyqtari Xhelal Elezi të kërkonin verifikimin e gjendjes së rënduar shëndetësore të të pandehurit Budjon Meçe.
***
Avokati i Budjon Meçes ka kundërshtuar vendimin e gjykatës për të verifikuar të sëmurin në repartin e Neurokirurgjisë, duke kërkuar legjitimimin e tij, pasi ishte zgjedhur prej familjarëve të të pandehurit. Edhe pas këmbënguljes së avokatit Artan Kodheli për vazhdimin e gjykimit, togat e zeza vendosën që seanca të shtyhet për dy javë, që të verifikohet gjendja shëndetësore e Meçes, për të parë nëse është i vetëdijshëm apo jo. Ndërkohë, me vendim të ndërmjetëm, togat e zeza të kësaj gjykate vendosën që i pandehuri Ilir Kumbaro të gjykohet në mungesë, pasi sipas tyre, është vërtetuar se ai i fshihet drejtësisë. Punonjësit e Gjykatës së Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me policinë e komisariatit nr. 2 kanë verifikuar në banesën e të pandehurit se ai nuk ndodhet në Shqipëri. “Në banesën e tij është konstatuar se ai prej vitesh është larguar bashkë me familjen dhe sipas fqinjëve, ndodhet në Londër. Në shtëpinë e Ilir Kumbarosbanojnë disa studentë kosovarë”,-thuhet në shkresën që komisariati ka sjellë në gjykatë.
***
Ka mjaftuar kjo shkresë që pesëshja gjykuese të deklarojë mungesën e Kumbaros dhe vazhdimin e gjykimit në mungesë, duke i caktuar kryesisht avokat Remzi Ponarin. Këto ishin shkaqet që togat e zeza vendosen të shtynë seancën gjyqësore, ku brenda sallës së gjyqit nuk munguan familjarët e Remzi Hoxhës dhe avokati i familjes së tyre, Tom Gashi, të ardhur enkas për këtë gjyq. Sipas prokurorisë, të pandehurit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe kanë marrë pjesë në mënyra të ndryshme në rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe rrëmbimin e më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës të shoqëruar me tortura të rënda fizike. Ngjarja për të cilën akuzohen katër të pandehurit ka ndodhur në shtator-tetor të vitit 1995, ku tre viktimat janë rrëmbyer për verifikim personi ku i janë nënshtruar torturave të rënda fizike dhe psikike nga të cilat ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar Remzi Hoxha.