Lirohet nga burgu ish-zv.ministri Jaka
TIRANË- Ish-zv.ministri i Transporteve, Nikolin Jaka, ka lënë dje qelinë e paraburgimit “Mine Peza”, ku kaloi 385 ditë. Gjyqtarit që shqyrtoi kërkesën e ish-zvministrit për “shuarjen e masës së sigurisë”, Gerd Hoxhës i mjaftuan vetëm 15 minuta në zyrën e tij për të bërë llogaritë që e nxirrnin jashtë burgut Jakën. Ka qenë punonjësi i Gjykatës së Tiranës ai që e dërgoi vendimin e zbardhur të lirimit të ish-zvministrit Jaka pranë paraburgimit “Jordan Misja”, nga ku ai ka dalë i shoqëruar nga familjarët, dje rreth orës 15:00 të pasdites. Sipas dispozitivit të vendimit për “shuarjen e masës së sigurisë” ndaj ish-zvministrit Jaka thuhet se: “pas shqyrtimit të kërkesës penale me nr.894 akti, kërkuar nga i pandehuri dhe përfaqësuesi i tij ligjor, u vendos lirimi i menjëhershëm i të dënuarit Nikolin Jaka nga qelia e paraburgimit “Mine Peza”, ku ka qëndruar për 385 ditë në total me mbledhjen e ditëve të paraburgimit. “Seanca gjyqësore filloi në zyrën e gjyqtarit Gerd Hoxha në orën 10:30 minuta dhe përfundoi 10:45 minuta. Gjatë kësaj kohe u verifikua paraqitja e mbrojtësit dhe prokurorit të çështjes, ku avokati lexoi kërkesën për lirim që u miratua nga prokurori dhe më pas nga gjyqtari që urdhëroi lirimin e menjëhershëm nga qelia të ishzv.ministrit Nikolin Jaka, i cili kishte preferuar të mos vinte në gjyq”-thuhet nga burimet e gjykatës. Sipas vendimit, Nikolin Jakës i kanë përfunduar mesditën e djeshme ditët e dënimit prej 1 vit e 20 ditë heqje lirie, dhënë nga kjo gjykatë, e cila e deklaroi fajtor për kryerjen e veprës penale të “ushtrimit të ndikimit të tij në personat që ushtrojnë funksione publike”. Ndërkohë, pritet që në ditët në vazhdim ish-zvministri i Transporteve të paguajë edhe gjobën e vendosur nga kjo gjykatë prej 500 mijë lekësh të reja. Kjo gjykatë vendosi lirimin nga qelia të biznesmenit Skënder Bokçiu, i cili u dënua po nga kjo gjykatë bashkë me ish-zvministrin Jaka dhe zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Transporteve të cilëve i kishte ofruar ryshfet. Ndërkaq, kërkesën e lirimit nga qelia të të pandehurit Bashkim Kamberi gjykata vendosi ta shtyjë, duke i kërkuar të dënuarit plotësimin e kërkesës, pasi nuk i kishte llogaritur mirë ditët e vuajtjes së dënimit.