Hoxhaj- Ban Ki Moon: Palët të kontribuojnë për situatën
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në New York, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka informuar Sekretarin e Përgjithshëm për gjendjen në veri të Kosovës, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për paqe dhe stabilitet. Nga ana tjetër, Sekretari i OKB-së, Ban Ki Moon shprehu domosdoshmërinë për siguri në Kosovë dhe përshëndeti rolin pozitiv të KFOR-it në përmbushjen e këtij synimi.
“Pavaresisht se mund të ketë ndarje brenda Këshillit të Sigurimit për çështje të caktuara lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e mbështesin stabilitetin dhe paqen në Kosovë”, ka thënë Ki Moon. Duke folur për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, ministri Hoxhaj ka akuzuar Serbinë për krijimin e tensioneve ndëretnike në veri të Kosovës në 12 vitet e fundit.
“Ndërhyrja agresive e Qeverisë së Serbisë, përmes strukturave paralele në Kosovë janë pjesë e një axhende politike dhe publike e prezantuar 6 muajt e fundit nga vete presidenti Tadiç dhe gjithë zyrtaret serb për ndarje të territorit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai më tej ka theksuar se në dialogun mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ndër çështjet urgjente, ka qenë zgjidhja e problemit të marrëdhënieve tregtare në përputhje me standardet evropiane si dhe çështja e pranimit të vulave të doganës së Kosovë nga autoritet e Serbisë.
“Meqë Serbia në këtë takim nuk mori pjesë dhe nuk ishte e gatshme që të pranojë propozimin e BE-së, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të respektohen masat e reciprocitetit”, ka thënë Hoxhaj.