Kuvendi serb, në seancë të jashtëzakondshme

Kuvendi i Serbisë ka filluar sot në orën 14.00, seancën e jashtëzakonshme, në të cilën, me kërkesë të qeverisë, do të shqyrtohet deklarata mbi gjendjen në Kosovë. Si raportojnë mediat serbe, në seancë janë të pranishëm edhe presidenti i Serbisë, kabineti qeveritar dhe kryenegociatori për dialog, Borko Stefanoviç.
Deputetët nuk miratuan propozimin e radialëve serbë që seanca të zgjasë 10 orë, por vendosën që ajo të zgjatë 5 orë.
Në deklaratën e propozuar, shprehet gatishmëria që edhe në situatën ekzistuese, “në të cilën kërcënohet sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit”, Serbia të kontribuojë në zgjidhje paqësore dhe me marrëveshje të kësaj çështje, “mbi bazë të parimeve dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kushtetutës serbe”.
Kryeministri serb, Mirko Cvetkoviç tha se nuk ekzistojnë shantazhe nën të cilat qeveria do të njihte pavarësinë e Kosovës dhe ftoi KB-të dhe BE-në që t`i përmbahen rezolutës 1244 dhe marrëveshjeve të arritura. Për përkeqësimin e situatës në Kosovë ai fajësoi institucionet në Prishtinë, të cilave iu atribuoi “aksionet e papërgjegjshme, të njëanshme dhe të motivuara politikisht, me qëllim ndalimin e qarkullimit të mallrave dhe përpjekjeve për marrje të dhunshme të pikëkalimeve” kufitare.
“Ftojmë Kombet e Bashkuara dhe BE-në që me anë të kthimit në gjendjen e mëparshme, të riafirmojnë dialogun dhe të mos lejojnë imponimin e zgjidhjeve”, tha ai.
Ai ftoi qytetarët shqiptarë që të përmbahen nga dhuna dhe të mos sulmojnë bashkëqytetarët e tyre, ndërsa nga serbët e Kosovës kërkoi që të jenë unikë dhe të mos tërheqin lëvizje që do t`i shërbenin Prishtinës.
Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç tha se organizata të caktuara ndërkombëtare në Kosovë “kanë devijuar nga neutraliteti statusor, i përcaktuar me rezolutën 1244”. Presidenti Tadiç, ndërkaq, para fillimit të seancës parlamentare, ka kërkuar që Serbia duhet të jetë e qëndrueshme dhe e qetë, dhe se seanca parlamentare duhet t`i kontribuojë qetësimit të situatës, e jo ndezjes së saj.