Hoxhaj: As autonomi, as “Republika Srpska”

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për “Reuters” në Paris është shprehur optimist për një përparim me 2 prill, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ai ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve po zhvillohet ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane.
Hoxhaj e ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovë kurrë nuk do të pranojë asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës.
“Askush në Bruksel nuk është i interesuar të krijoj një “Republika Srpska” në veri të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, për “Reuters”.
Sipas tij, çdokush që propozon diçka të tillë është kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Është një qasje shumë e padobishme të kërkohet diçka që nuk mund të ndodh”, ka shtuar kryediplomati kosovar.
Ai ka theksuar se këto janë vijat e kuqe të Republikës së Kosovës, e cila kurrë nuk do të pranojë zgjidhje, të cilat do ta shndërrojnë Kosovën në shtet jo funksional.
“Ide të tilla promovojnë ndarje të komuniteteve, madje edhe në vet komunitetin serb”, ka thënë ai, në Paris.
Hoxhaj ka kërkuar shpërbërjen e strukturave paralele, grupeve paramilitare, policore dhe të sigurisë nga tri komunat e veriut të Kosovës.
Gjatë qëndrimit të tij në Francë, “Reuters” thekson se Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Francës në procesin e shtimit të njohjeve si dhe ka kërkuar më shumë investime franceze në Kosovë./Indeksonline/