Hoxhaj: Historinë nuk e shkruajnë politikanët

Ministri i Jashtëm i Turqisë Ahmet Davutoglu, gjatë vizitës së tij në Prishtinë ka realizuar një takim edhe me homologun e tij kosovar Enver Hoxhaj . Gjatë takimit të tij me Ministrin e Jashtëm kosovar, kreu i diplomacisë turke ka shprehur këndvështimet e tij në lidhje me debatin rreth historisë. Kryediplomati turk ka deklaruar se Turqisë nuk i pëlqen që kosovarët të mësojnë historinë e interpretuar nga Josip Broz Tito apo Enver Hoxha. Davetoglu ka pohuar gjithashtu se asnjë popull nuk mund të ndryshojë historinë, por interpretimet për të. Ndër të tjera, ai ka pohuar se historia duhet shkruar nga historianë që jetojnë në vitin 2011 dhe jo ata që jetojnë në vitet 1970.
Kreu i diplomacisë turke u shpreh se kjo gjë vlen për të gjithë dhe se Turqia e Greqia kanë një komitet të përbashkët që po punojnë në çështje të ngjashme. Kurse, ministri Hoxhaj ka pohuar se historia duhet shkruar nga akademikët dhe jo nga politikanët. Ministri Hoxhaj ka theksuar raportet e veçanta në mes të popujve dhe dy shteteve, duke thënë se Republika e Kosovës paraqet shembullin më të mirë të integrimit të komunitetit turk në rajon dhe faktin se në Turqi ka shumë qytetarë me prejardhje nga Kosova. Davutoglu, ka shprehur përkrahje të fuqishme të shtetit të tij për Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në aspektin e sovranitetit dhe integritetit territorial. Sipas tij, Turqia i kushton një rëndësi shumë të madhe integritetit dhe sovranitetit të Kosovës. "Ne nuk dëshirojmë që në Kosovë të ketë struktura paralele dhe dëshirojmë që Kosova të ushtroj sovranitetin në të gjithë territorin e saj. Kjo është e drejtë e natyrshme e Kosovës dhe në këtë kontekst i kemi vlerësuar zhvillimet e fundit në Kosovë", ka thënë Davutoglu.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Davutoglu është takur edhe kryeministrin e Kosovës Hashim Thaci me të cilin ka ritheksuar angazhimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të gjithëanshëm të vendeve të rajonit.