E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Idetë e Serbisë, të kohës së Millosheviçit

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse” ka akuzuar Serbinë për tensionimin e gjendjes së sigurisë në veri të Kosovës.

Duke komentuar deklaratat e përfaqësuese të Serbisë dhe të përfaqësuesve të strukturave paralele për shpalljen e “pavarësisë” së pjesës veriore të Kosovës, kryediplomati kosovarë këto paralajmërime i ka quajtur absurde.

“Këto janë deklarata absurde. Strukturat paralele, ilegale dhe kriminale, të mbështetura financiarisht nga Beogradi po bëjnë përpjekje ta shantazhojnë bashkësinë ndërkombëtare. Këto struktura paralele ilegale të Serbisë, tani e 12 vjet janë duke mbajtur peng qytetarët serb, duke parandaluar pjesëmarrjen e tyre në institucionet demokratike të Kosovës. Është koha e fundit që Serbia t`i shpërbëjë këto struktura”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka theksuar se në veri nuk ekziston konflikt në mes qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve serb. Sipas Hoxhajt, atje është një grup i vogël njerëzish, të cilët veprojnë në emër të Beogradit dhe financohen në mënyrë masive nga Beogradi.

“Të gjitha paratë që Serbia merr nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA-së, praktikisht rrjedhin në veri të Kosovës, në mënyrë që atje të ruhet një Status Quo”, ka thënë ai, duke shtuar se përpjekjet e tyre kanë dështuar me 25 korrik.

Duke komentuar deklaratat e ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç, kryediplomati kosovarë ka thënë se këto janë ide të kohës së Millosheviçit.

“Në Ballkan, këto ide kanë sjell vetëm luftë, spastrime etnike dhe pikëllim. Ne jemi kundër koncepteve të shteteve monoetnike në Ballkan, kjo do të hapte Kutinë e Padorës. Kjo mund të përcillet me dhunë dhe konflikte ndëretnike edhe në shtete të tjera si në Maqedoni, Serbi dhe në Bosnje”, ka theksuar Hoxhaj.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›