Petroviç: Barrikadat janë të papranueshme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç në vazhdën e takimeve që ka zhvilluar në Bruksel, ka bërë një prezantim në Parlamentin Evropian, i cili është ndjekur nga një numër i madh deputetësh që përbëjnë Komitetin për Politikë të jashtme, zyrtarë të misioneve diplomatike të akredituara në Belgjikë.
Në këtë prezantim, Petroviç është fokusuar në progresin që është arritur në Kosovë, veçanërisht në integrimin e përgjithshëm shoqëror dhe institucional. Në këtë drejtim ai ka nënvizuar se procesi i decentralizimit ka qenë forma adekuate që ka dhënë rezultatet e veta.
Ai ka folur edhe për sfidat që janë aktuale dhe që kanë të bëjnë me gjendjen e krijuar pas vendosjes së barrikadave në veri.
Petroviç ka thënë se barrikadat janë të papranueshme dhe po dëmtojnë vetë komunitetin që jeton në këtë zonë. Sipas tij, lumi Ibër duhet të jetë lumë i bashkimit dhe jo ndarjes.
Po ashtu ai ka vlerësuar se roli i bashkësisë ndërkombëtare duhet të rritet si dhe angazhimi i tyre që të bëjnë palët të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe të ndihmojnë në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.