Hoxhaj: Në mot testi i maturës, test për universitet

Prishtinë, 27 gusht - Mbi 11 mijë maturantë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, janë paraqitur të premten në kuadër të raundit të dytë të provimit “Matura Shtetërore 2010”. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, siç raporton RTV21, ka thënë se nga viti i ardhshëm të gjithë maturantët që kalojnë testin e maturës do të jenë të pranuar në universitetet publike. Të gjithë ata nxënës që nuk kishin sukses në afatin e qershorit të maturës edhe një herë e kanë sprovuar sot dijen e tyre dhe i janë nënshtruar pyetjeve të shumta të provimit “Matura Shtetërore 2010”. Për të parë nga afër rrjedhën e provimit të maturantëve, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj e ka vizituar në Prishtinë shkollën teknike “28 nëntori”, me ç’rast bëri të ditur se nga viti i ardhshëm testi i maturës do të jetë edhe provim pranues për universitete. “Viti 2011 do të jetë vit ku provimi i maturës shtetërore do të jetë provim pranues në universitetet tona dhe nuk do të ketë provim pranues në universitetet tona, sepse çdokush që e përfundon maturën shtetërore, universitetet publike janë të detyruar t’i sigurojnë vende të reja të studimit”, ka thënë ai. Por, kjo sipas ministrit të Arsimit nuk do të jetë edhe në dy fakultetet më specifike, siç është Fakulteti i Mjekësisë dhe ai i Arteve. Testi i maturës është mbajtur në 54 qendra shkollore ne tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërkaq janë caktuar 1.600 administratorë dhe vëzhgues, si dhe 216 anëtarë komisioni dhe monitorues të testit. Ndërkaq duke folur për mundësinë e ngritjes së pagave të arsimtarëve, ministri Hoxhaj tha se “ jam shumë i sigurt që në vitin e ardhshëm do të ndodh një ngritje e pagave. Një sistem i fuqishëm arsimor mund të funksionon kur mësimdhënësi është i kualifikuar mirëfilli dhe ka mbështetje financiare dhe të njëjtën kohë shoqëri e vlerëson punën e tij. Për neve mësimdhënësit janë reformues, modernizues dhe shtet ndërtues të Republikës tonë, prandaj edhe do ta kenë një mbështetje të tillë”, ka thënë ai. Si edhe më parë përpilimi dhe shpërndarja e pyetësorit është bërë nën masa të rrepta të sigurisë për çka kujdeset Policia e Kosovës. Nxënësit të cilët edhe kësaj radhe nuk do të kenë sukses duhet të presin qershorin e vitit të ardhshëm për t’i krijuar vetes mundësinë e shkollimit të lartë. Sipas planit që ka bërë MASHT-i, rezultatet e testit të maturës pritet të dalin me 7 shtator.