E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri Manaj u takua me eurodeputetin Bernd Posselt

Prishtinë, 27 gusht - Sot, zëvendëskryeministri  Ramë Manaj u takua me deputetin e Parlamentit Europian, njëherësh raportues për Kosovën,  Bernd Posselt, si dhe me grupin punues nga “Pan Europa”.
Në emër të qeverisë dhe të popullit të Kosvës  Manaj e falënderoi z. Posselt për mbështetjen që ai dhe politika gjermane i kanë dhënë Kosovës në vazhdimësi.
Më tej, zëvendëskryeministri Manaj theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe integrim sa më shpejt të Kosovës në strukturat euroatlantike.
“E dimë se është proces i gjatë dhe i mundimshëm ndonjëherë, por ne kemi përkushtimin e nevojshëm që të punojmë ngushtë edhe me miqtë tanë për ta shpënë Kosovën sa më shpejt në familjen evropiane”, tha zv.kryeministri Manaj.
Ai tha se pret që në vjeshtë të këtij viti raporti i progresit i hartuar nga Komisioni Evropian të dëshmojë rezultatet që Kosova i ka arritur gjatë periudhës mes dy raporteve. Po kështu, ai ritheksoi kërkesën që në vjeshtë Kosova ta marrë udhërrëfyesin për procesin e liberalizimit të vizave.
“Ne presim që i tërë rajoni të përfitojë nga ky proces”, tha ai, “por jemi të sigurt se Kosova nuk mund të mbetet pikë e vetme, pas vendeve të tjera të rajonit, në këtë proces.
 Bernd Posselt, nga ana e tij, rikujtoi se për të dhe për politikën gjermane është e qartë se Kosova është vend i pavarur, roli i së cilës në stabilitetin e rajonit është i jashtëzakonshëm. Ai rikujtoi edhe një herë qëndrimin e Parlamentit Evropian, duke nënvizuar sidomos faktin se në rezolutën e këtij parlamenti për Kosovën është bërë e qartë se nuk mund të ketë negociata të reja për statusin, nuk përkrahet asnjë lloj ndryshimi i kufijve dhe se nuk mund të ndodhë asnjë lloj shkëmbimi i territoreve.
“Ne i inkurajojmë të dy vendet për politika të mira fqinjësore, dhe mbështesim dialogun  i cili nënkupton bisedime mes dy vendeve për çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve, por nuk përkrahim asnjë lloj bisedimi për statusin”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›