E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagim: Pse RTK-ja nuk transmetoi mbledhjen solemne?

Prishtinë, 27 gusht -  Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, siç raporton TV21, përmes një kumtese ka reagur lidhur me mos transmetimin e mbledhjes solemne të Kuvendit të Kosovës ku ka folur ministri i Jashtëm gjerman Guido Westwele.
"Drejtuesit e Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetët dhe punonjësit e tjerë të legjislativit të vendit, por edhe përfaqësuesit e medieve, të akredituar në Kuvend, kanë përjetuar sot një befasi tepër të pakëndshme - mostransmetimin nga RTK-ja të seancës solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila mbahej për të nderuar  ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Guido Westerwelle.
Zotërinjtë e RTK-së ishin të informuar fare mirë, ashtu siç ishte i informuar edhe opinioni i gjerë se miku i Kosovës, z. Westerwelle, do t’u drejtohej deputetëve, me një fjalë rasti. Qytetarët me të drejtë prisnin që, si zakonisht, seancën ta ndiqnin nëpërmjet televizionit publik.
 Taksapaguesit e të vetmit radiotelevizion publik në Kosovë, kanë të drejtë të kërkojnë llogari për këtë veprim të papërgjegjshëm e skandaloz të menaxhmentit të RTK-së. Mbetet nga drejtuesit e RTK-së  që ta vlerësojnë vetë këtë skandal profesional.
Koordinatat e vlerësimit të mostransmetimit nga RTK-ja të seancës solemne të Kuvendit të Kosovë, gjithsesi, shtrihen nga neglizhenca infantile deri tek sabotimi i qëllimshëm", thuhet në reagim e Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun të Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›