Hoxhaj: Për çdo muaj kemi arritur të sjellim nga një njohje

“Në Politikën e Jashtme të gjithë duhet të ndajmë përgjegjësinë e përfaqësimit të interesit shtetëror. Unë si ministër, ju si deputet dhe ne si qytetarë”, ka shtuar ai.
Sipas Hoxhajt, Kosova është shtet i pavarur dhe procesi i njohjeve është i pakthyeshëm dhe i pandalshëm.
“Prandaj, askush nuk mund të ndalë rrjedhën e historisë së njohjes së plotë të Republikës së Kosovës. Kosova e pavarur është pjesë e peizazhit të shteteve sovrane, demokratike të Ballkanit perëndimorë dhe Evropës. Ajo përfaqëson një realitet politik dhe juridik dhe një fakt gjeopolitik në Evropë dhe botë.
Kryediplomati kosovar ka theksuar se për herë të parë, lobimin, krahas qendrave multilaterale është vendosur edhe në rrafshin bilateral - shtet me shtet.
“Gjatë tërë kësaj kohe, unë kam pas një plan konkret të punës dhe të matshëm, një agjendë javore, mujore dhe vjetore, të shoqëruar me një qasje të menduarit mirë strategjik dhe me analiza të detajuara për secilin shtet. Duke u bazuar në këtë strategji, unë kam vizituar mbi 42 shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Rezultatet janë të matshme. Brenda këtyre 17 muajve Republikën e Kosovës e kanë njohur 17 shtete sovrane, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për çdo muaj kemi arritur të sjellim nga një njohje, në një përudhë shumë të vështirë, ku sigurimi i njohjes është i kushtëzuar nga rrethana të veçanta gjeopolitike”, ka shtuar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se njohjet janë të rëndësishme dhe do të mbesin prioriteti politikës së jashtme, derisa Kosova do të bëhet anëtare e plotë e OKB-së. Mirëpo, politika e jashtme nuk guxon të reduktohet vetëm në njohje.
Sipas tij, jetësimi i objektivave tjera të MPJ-së janë po aq i rëndësishëm sa shtimi i njohjeve.
“Njohjet janë kuptimplota me anëtarësimin e plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike. Sepse njohjet i shërbejnë forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, mbi të gjitha atëherë kur ne marrim pjesë aktivisht në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Ministri Hoxhaj ka pohuar se për një vjet e gjysmë ai ka zhvilluar mbi 150 takime bilaterale.
“Ne në këtë vit e gjysmë ne kemi dyfishuar numrin e shteteve, me të cilat kemi lidhur marrëdhënie diplomatike. Tani jemi në proces të nënshkruajmë marrëdhënie diplomatike edhe me shtetet e mbetura. Ne kemi nënshkruar 105 marrëveshje bilaterale në mes Republikës së Kosovës dhe shteteve tjera, janë 10 marrëveshje multilaterale dhe 9 marrëveshje ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Ai ka folur edhe për anëtarësimin në organizata ekonomike, financiare, kulturore, sportive, të cilat sipas tij janë përcaktuese që Kosova të integrohet në sistemin ndërkombëtarë.
“Prandaj, ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në sigurimin e mbështetjes së shteteve për të qenë anëtare e plotë në shumë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, ka theksuar Hoxhaj.