Hoxhaj: Shtetet arabe po ndryshojnë qëndrim
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se shtetet arabe po ndryshojnë qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës. Gjatë vizitës së tij në Egjipt, ai është takuar me liderin shpirtëror të myslimanëve me seli në Kajro, Sheikh Al Azhar Ahmed El Taib.
“Shpresoj që së shpejti të gjitha vendet arabe të pranojnë pavarësinë, në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e plotë e OKB-së”, ka thënë El Taib, pas takimit.
Nga ana tjetër, Faiz Jibril, përfaqësues i kongresit popullor të Libisë ka thënë se politika e Gaddafit tashmë ka marr fund në Libi. Ai ka shtuar se Gaddafi asnjëherë nuk ka përfaqësuar mendimin e shumicës së popullit, por gjithmonë interesat personale. “Libia është vonuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo ka qenë njëra nga katastrofat më të mëdha të Gaddafit. Jam pajtuar me Ministrin Enver Hoxhaj që të fillojmë vendosjen e kontakteve për të arritur deri te njohja”, ka thënë ai.
Në përmbyllje të vizitës në Egjipt, Ministri Hoxhaj ka takuar edhe përfaqësues të Këshillit Transitor të Libisë. Në këtë takim Ministri i ka informuar ata për vendimin e Republikës së Kosovës, e cila ka pranuar këtë këshill si autoritetin e vetëm qeverisës në Libi. Ministri Hoxhaj mbrëmë po ashtu ka marrë pjesë në një darkë të shtruar nga Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Në këtë darkë kanë marrë pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Organizatës së Ligës Arabe dhe përfaqësues të Qeverisë së Egjiptit. Ministri Hoxhaj ka falënderuar kryeministrin Erdogan për ndihmën që i ka dhënë Republikës së Kosovës në procesin e përmbylljes së njohjeve. Edhe në këtë takim, Kryeministri Erdogan ka kërkuara nga shtetet anëtare të Ligës Arabe që të pranojnë pavarësinë e Kosovës.