E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj: Sot është një ditë shumë e veçantë

Nga Express më 10 janar 2011 në ora 14:09

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj gjatë vizitës që i ka bërë Shkollës Fillore “Gjergj Fishta”, ka thënë se problemi ngrohjes se shkollave, është çështje që duhet të zgjidhet nga Komuna e Prishtinës. Ai premtoi se për këtë do të bisedojë me kryetarin e Komunës, Isa Mustafa, apo drejtorin e Arsimit.

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, të hënën e ka vizituar Shkollën Fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë, me rastin e fillimit të gjysmë vjetorit të dytë të mësimit nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës.

“Kjo ditë është një ditë shumë e veçantë, meqë sot 420 mijë nxënës, në të gjitha shkollat e Kosovës fillojnë gjysmë vjetorin e dytë. Informatat që kemi në si Ministri e Arsimit, flasin që procesi mësimor ka filluar i rregullt në të gjitha shkollat në Republikës së Kosovës, në 1200 shkolla sa ka Republika e Kosovës, përjashtim bënë Komuna e Skenderajt dhe Drenasit, të cilat komuna për shkak të zgjedhjeve sot nuk mbajnë mësim”, tha ai dhe shtoi se në këto komuna do të vazhdojë mbajtja e mësimit një ditë më shumë, për të plotësuar ditën e humbur.

Ai tha se në Komunën e Prishtinës në 6 shkolla ka një orar të shkurtuar për shkak të problemeve me ngrohje me ngrohtoren e qytetit “Termokoss”. Hoxha tha se është përgjegjësi e Komunës së Prishtinës që të gjejë zgjidhje për ngrohjen e shkollave, kurse premtoi se do të takohet me kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa, apo me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, për të biseduar rreth zgjidhjes së këtij problemi.

“E ftoj Termokos-in, e ftoj drejtoreshën, e ftoj menaxhmentin e këtij institucioni, që mbi të gjitha nxënësit ta kenë një klimë dhe një ambient më të përshtatshëm për proces mësimor. Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë të mos pengohet procesi mësimor. Me që, kjo është përgjegjësi direke e Komunës, unë duhet të flas me kryetarin e Komunës dhe me drejtorin e Drejtoratit të Arsimit”, ta ministri Hoxhaj.

Ai foli edhe për ngritjen e pagave të mësimdhënësve, ku tha se mësimdhënësit e fillojnë këtë vit me një pozitë të sqaruar materiale, pasi Qeveria ka marrë vendim t’ua ngrish pagat për 50 për qind.

“Ju e dini se Qeveria ka marrë vendim që pagat e mësimdhënësve të rriten 50 për qind. Ky vendim i Qeverisë do ta rritë përgjegjësinë e nxënësve në procesin mësimor, por veçanërisht do ta rrit përgjegjësinë e mësimdhënësve, do ta rritë cilësinë në arsim dhe do ta rritë përkushtimin e mësimdhënësve ndaj nxënësve, ndaj shkollës dhe ndaj komunitetit te prindërve”, tha ai.

Me këtë rast nuk munguan as lëvdatat mes ministrit dhe drejtorit të shkollës. “Drejtori i shkollës është ndër drejtorët më të mirë që ka jo vetëm Komuna e Prishtinës, po Republika e Kosovës. Është një drejtor, i cili pothuaj se që 15 vite është në një pozitë të tillë, e ka udhëheqë këtë shkollë edhe në kohë shumë të vështira të okupimit tonë”, tha Hoxhaj. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›