E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeziu: Rezultatet e përgjithshme pas rivotimit në Mitrovicë

Nga Express më 10 janar 2011 në ora 18:38

Drejtuesit e koalicionit të OJQ-ve Demokracia në Veprim, kanë përsëritur edhe një herë të hënën të dhënët e pjesëmarrjes së qytetarëve në rivotimin e 9 janarit dhe përqindjet që partitë politike kanë fituar, ndërsa vlerësuan se edhe në këtë proces ka pasur numër të madh të parregullsive.

Bazuar në të dhënat e Demokracisë në Veprim (DV) numri votuesve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në komunat që kanë qenë pjesë e procesit të rivotimit është si në vijim; në Skenderaj 57.97 për qind e atyre që kanë të drejtë vote, në Drenas 53.77 për qind, në Deçan 33.79 për qind, në qendrën në Lipjan 53.06 për qind, si dhe në qendrën e Malishevës 36.30 për qind.

Sidoqoftë udhëheqësi DV-së, Ismet Kryeziu tha se edhe në procesin e rivotimit në pesë komunat e Kosovës është përcjell në një masë të madhe të parregullsive të cilat e kanë shoqëruar procesin zgjedhor më 12 dhjetor.

Ai tha se përveç problemeve tjera, janë evidentuar 68 raste të votimit të shumëfishtë dhe 227 raste kur i njëjti person ka asistuar më shumë se një person gjatë votimit, si dhe votimet familjare.

“Votimi familjar edhe më tutje e ka përcjellë këtë proces dhe mbetet një brengë për Demokracinë në Veprim dhe për procesin në përgjithësi. Ne kemi pas rreth 2344 raste të votimeve familjare. Por, duhet të vlerësojmë se votimi familjarë në përgjithësi nuk ndikon në proces, por kjo vihet re tek gjinia femërore të cilat votojnë në prezencën e të afërmit të tyre e në këtë rast të burrit apo edhe anëtarëve të tjerë të familjes”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjatë këtij procesi ka paraqitur problem edhe mungesa e energjisë elektrike në 7 qendra të votimit, si dhe shumë raste të prezencës në vendvotime të personave të paautorizuar.

Edhe pse mbrëmë vonë kanë dhënë rezultatet preliminare për komunat ku është mbajtur rivotimi, drejtuesit e Demokracisë në Veprim kanë thënë se rezultatet për nivel qendror do t’i japin vetëm pas rivotimit edhe në komunën e Mitrovicës.

“Ne qysh mbrëmë i kemi pas rezultatet preliminare, por pas vendimit për të shkuar edhe Mitrovica në rivotim ne kemi vlerësuar që rezultatet për nivel kombëtar do t’i bëjmë të njohura për publikun, të përputhura ose për të parë vërtetësinë e rezultateve të cilat do t’i bëj KQZ, por pas përsëritjes së rivotimit të Mitrovicës, pas atij rasti ne do t’i publikojmë të gjitha rezultatet për të gjitha komunat e Kosovës”, ka thënë ai.

Demokracia në Veprim edhe një herë u ka thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprimet e duhura ndaj personave të përfshirë në parregullsi, në mënyrë që ata të përgjigjen për veprimet e tyre të kundërligjshme. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›