E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krasniqi: Do të formojmë Qeverinë në kohë rekorde

Nga Express më 10 janar 2011 në ora 17:44

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), vlerësuan të hënën se procesi i rivotimit të djeshëm në disa komuna ka kaluar në mënyrë të rregullt e demokratike dhe u ka bërë të qartë të gjithë atyre që kanë adresuar shqetësimet e tyre, se PDK është parti fituese, e cila do të qeverisë me vendin.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi gjatë një konference për media ka thënë se nga rivotimi nuk i mungojnë vota vetëm PDK-së, por edhe partive tjera, madje nga 30 mijë vota, 17 mijë janë të subjekteve tjera.

“Në komunat e Skënderajt dhe Drenasit ka rreth 30 mijë votues më pak dhe shumica e këtyre votuesve janë vota të munguara për partitë e tjera, si për LDK, për Vetëvendosjen, për LDD-në, për AKR-në e kështu me radhë. Në procesin e rivotimit nga rezultatet preliminare që i kemi dhe tani ju i keni nga KQZ-ja, mund të ketë një diferencë prej rreth 13 mijë votave më pak në këtë radhë dhe që është në një masë të madhe edhe e kuptueshme”, ka thënë Kraniqi, siç transmeton Kosovapress.

Ai sqaron se në Drenas e Skënderaj tani PDK-ja ka marrë 53 mijë vota, kurse herën e kaluar më 12 dhjetor kishte marrë diku 66 mijë vota.

Krasniqi tha se procesi i rivotimit të tërësishëm në Skënderaj, Drenas e Deçan dhe i pjesshëm në Lipjan e Malishevë u ka bërë të qartë të gjithë atyre që kanë adresuar shqetësimet e tyre, se PDK është parti fituese, e cila do të qeverisë me vendin menjëherë pas certifikimit të rezultateve.

Derisa vëzhguesit ndërkombëtar kanë vlerësuar se procesi i djeshëm zgjedhor nuk i ka plotësuar standardet, Krasniqi thotë se të gjitha shqetësimet e nxjerra për procesin do të merren seriozisht dhe se kjo për PDK-ne nuk do të jetë problem të formojë Qeverinë.

“Ne do të presim përfundimin e procesit, tani e dimë se do të ketë një rivotim edhe në komunën e Mitrovicës, padyshim se do të presim edhe në komunën e Mitrovicës të hiqen dyshimet dhe shqetësimet që mund t’i ketë dikush, në mënyrë që të kemi rezultatet përfundimtar të certifikuara dhe pastaj do të binden të gjithë që do të ketë një qeveri të re për një kohë rekorde. Problemi më i vogël që e ka Partia Demokratike e Kosovës është t’i bëjë numrat në Kuvendin e Kosovës për të krijuar Qeverinë e re”, është shprehur ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›