E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicasit pa dallim etnie, të interesuar për gjendje stabile

Nga Express më 10 janar 2011 në ora 16:11

Përfaqësuesit e strukturave politike dhe atyre të sigurisë në Mitrovicë, vlerësuan të hënën në takimin e Komitetit për Siguri se festat e fundvitit kanë kaluar qetë dhe pa ndonjë problem serioz.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri tha se për dallim prej herëve të kaluara, kësaj radhe festat e fundvitit kanë kaluar pa incidente.

Ai për këtë përgëzoi autoritet e sigurisë, si Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in dhe posaçërisht falënderoi qytetarët, për sjelljen e tyre gjatë këtyre festave.

Në këtë kontekst, Haziri theksoi se kohëve të fundit shihet se qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike janë shumë të interesuar për gjendje stabile dhe të qetë.

“Dihet se pjesëtarët e komunitetit serb gjatë gjithë këtyre viteve kanë qenë dhe janë nën presion të strukturave të Beogradit, me qëllim të instrumentalizimit të tyre për të dëmtuar shtetin e pavarur të Kosovës. Mirëpo kohën e fundit të gjithë qytetarët kanë shprehur interesimin e tyre për të pasur një gjendje stabile”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.

Për gjendje të qetë ka folur edhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, sipas të cilit incidentet që kanë ndodhur gjatë javëve të fundit nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme.

Po ashtu ai në përgjithësi e vlerësoj të qetë gjithë vitin 2010, ndërsa përmendi si rastet më të rënda vrasjen e Hakif Mehmetit dhe Shefko Salkoviqit në veri.

Duke u fokusuar me situatën aktuale, Bala foli për nënshkrimin e peticionit të organizuar nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së kundër raportit të Dik Martit.

Ndërsa komandanti i stacionit policor në jug, Avni Zabeli tha se në zonën e tij të përgjegjësisë gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur ndonjë incident serioz.

Sipas tij, vizita e qytetarëve serbë në varrezat ortodokse dhe në kishën ortodokse në jug ka kaluar e qetë dhe pa as një problem.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›