E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj Tadic fajtor per sulmet ne veri

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj akuzon drejtpërdrejt Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç për nxitje të dhunës në veri të Kosovës. Në një intervistë për të përditshmen zvicerane, Neue Zürcher Zeitung, Ministri Hoxhaj tha se Serbia edhe më tutje është duke përkrahur strukturat kriminale në veri, të cilat po i pajis me axhendë politike.

“Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ministrat e Qeverisë serbe kanë nxitur dhunë në veri. Zhvillimet e fundit dramatike në ditët e shkuara janë organizuar dhe financuar nga Qeveria në Serbi. I dërguari i Serbisë në dialog vjen ilegalisht në Kosovë dhe mban fjalime që të kujtojnë luftërat e viteve ‘90-të. Serbia ende nuk ka arritur të përpunojë të kaluarën”, ka thënë Hoxhaj.

Ai më tej ka shtuar se Kosova dëshiron siguri, stabilitet dhe paqe. “Ne do të respektojmë Kushtetutën dhe marrëveshjen mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it. Ne do t’i respektojmë të drejtat e serbëve, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që Serbia të përzihet në punët tona”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë, duke komentuar zhvillimet e fundit në Veri, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se çdo marrëveshje që çon në drejtim të shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duhet të respektohet nga të gjithë.

LDK këmbëngul që të mos lëshohet pe nga ajo që nisi më 25 korrik të muajit të kaluar. “Ajo që ne kërkojmë është që Qeveria të aftësojë të gjitha organet e saj, që të rezistojë dhe me ngulm të punojë që masat, të cilat filluan më 25 korrik të realizohen me sukses”, ka theksuar ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›