E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama pret Amb. e Kosovës: Zgjedhjet serbe në Kosovë, të papranueshme

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, priti sot në një takim, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Sylejman Selimi.
Pasi uroi Ambasadorin për fillimin e misionit të tij në Shqipëri, Rama rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Socialiste, në mbështetje të popullit, qeverisë dhe Kryeministrit të Kosovës si dhe siguroi Ambasadorin Selimi për vullnetin e plotë të forcës politike që ai drejton, sa i përket forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit shumëplanësh mes të dyja vendeve.
 

Edi Rama, shprehu admirim dhe respekt për kurajon dhe vizionin e luftëtarëve të UÇK-së e për arritjet e qeverisë së Kosovës, në drejtim të ngritjes dhe konsolidimit të institucioneve shtetërore si dhe të forcimit të pozitës ndërkombëtare të saj.
 

Sipas Kryetarit të Partisë Socialiste, organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë, është një akt i papranueshëm dhe i paligjshëm dhe në këtë kuadër, Rama mbështet pa rezerva qëndrimin e qeverisë së Kosovës. Gjithashtu, gjatë takimit Rama përshëndeti arritjet e rëndësishme të Kosovës, në drejtim të avancimit të axhendës evropiane.
 

Nga ana e tij, Ambasadori Sylejman Selimi, falenderoi Partinë Socialiste për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi do të intensifikohet më tej në të ardhmen.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›