Hoxhaj dënon vrasjen e shtetasve turq nga regjimi i Assadit

Ministri Hoxhaj në deklaratë thekson se Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh ngjarjet dramatike që janë duke ndodhur në Siri.
“Në emër të Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës dënojmë ashpër sulmin dhe vrasjen e qytetarëve turq nga regjimi i Assadit, akt që ka ndodhur sot në një vendbanim në kufirin me Sirinë. Assadi me brutalitetin e tij dhe me vrasjet masive të qytetarëve të tij dhe tani edhe të qytetarëve të Turqisë ka humbur çdo legjitimitet të pushtetit të tij dhe sa më shpejt duhet të largohet nga regjimi i tij anti-njerëzor”, thuhet në reagimin e Ministrit Hoxhaj.
Ai po ashtu ka theksuar se Republika e Kosovës i bashkohet shteteve demokratike të botës në kundërshtimin dhe dënimin e dhunës së regjimit të Assadit kundër kërkesave legjitime të qytetarëve të Sirisë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe për të transformuar këtë vend në një shtet të hapur dhe pluralist dhe se këto sulme edhe njëherë dëshmojnë se regjimi i Assad-it vazhdon të shkel të gjitha normat ndërkombëtare të paqes, sigurisë dhe të drejtat e njeriut.
“Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me kërkesat e popullatës për ndryshime politike në Siri, dhe angazhimet e botës demokratike për ndalimin e dhunës dhe brutalitetit të regjimit të atjeshëm”, ka theksuar Hoxhaj.