E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj do të kërkojë shpërbërjen e strukturave paralele

Nga Express më 28 gusht 2011 në ora 17:17

(E plotësuar) Shefi i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar për në Nju Jork, ku nesër do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet për raportin e rregullt të sekretarit të përgjithshëm të KB-ve për gjendjen në Kosovë.

Me këtë rast, ministri Hoxhaj para përfaqësuesve të shteteve anëtarë të Këshillit të Sigurimit do të paraqesë zhvillimet pozitive në Kosovë në procesin e rëndësishëm të konsolidimit të shtetësisë dhe në transformimin ekonomik dhe social.

Një pjesë e fjalimit të ministrit Hoxhaj do të përqendrohet edhe në vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për luftën kundër krimit të organizuar në të gjithë territorin e shtetit.

Në këtë seancë, ministri Hoxhaj do të kërkojë nga Serbia që t’i shpërbëjë strukturat paralele ilegale-shtetërore në Kosovë dhe të heqë dorë nga mbështetja politike për grupe të krimit të organizuar në veri.

Hoxhaj, po ashtu, do të flasë edhe për situatën e fundit të krijuar në veri, pas vendosjes së masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai do t’i shpjegojë përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse për dialogun teknik në mes Kosovës dhe Serbisë, për mosgatishmërinë e Serbisë që t’i pranojë vulat e Kosovës në takimin e fundit të muajit korrik dhe për domosdoshmërinë kushtetuese për vendosjen e masave të reciprocitetit.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri Hoxhaj do të takohet me përfaqësues të shumë shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, me diplomatë dhe personalitete të jetës publike, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

KS do të shqyrtojë raportin e rregullt për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë nesër seancën e rregullt për Kosovën, ku do të prezantohet raporti më i ri i sekretarit të përgjithshëm të KB-ve për gjendjen në Kosovë.

Ban Ki-Moon në raportin e rregullt për Kosovën fton të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik, e cila përfshihet në raport, ka qenë kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur kah fundi i kësaj periudhe, thuhet në raport.

Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga shefi i diplomacisë Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme Vuk Jeremiq. Po ashtu, në seancë për herë të parë si përfaqësues i UNMIK-ut pritet të marrë pjesë shefi i ri i këtij misioni, diplomati afgan Farid Zarif.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiq ka paralajmëruar se Serbia në këtë seancë do të kërkojë “dënimin e përdorimit të njëanshëm të dhunës” në veri të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›