Hoxhaj, dy marrëveshje bashkëpunimi me Bullgarinë

Thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, përkatësisht institucioneve dhe qytetarëve të të dyja vendeve kanë qënë në qëndër të bisedimeve ndërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, me homologun e tij bullgar, Nickolay Evtimov Mladenov.
Ministri Hoxhaj dhe ministri Mladenov, kanë nënshkruar dy marrëveshje: Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive si dhe Marrëveshjen për transport ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve.
Pas takimit, ministri Hoxhaj ka thënë se Qeveria dhe populli i Bullgarisë më së miri e kupton nevojën e popullit të Kosovës për të lëvizur të lirë në Evropë. Ai ka thënë se ka marrë përkrahje të fuqishme nga ky shtet për perspektiven evropiane të Republikës së Kosovës.
“Ne do të marrim përvojën e Qeverisë së Bullgarisë, në mënyrë që rruga jonë drejt BE-së të jetë më e lehtë dhe më e shkurtër”.
Hoxhaj po ashtu ka deklaruar se Kosova dhe Bullgaria do të kenë një bashkëpunim shumë të thellë në fushën e ekonomisë, tregtisë, kulturës, arsimit dhe fushave të tjera.
“Marrëveshjet e nënshkruara, sot janë një shembull për këtë bashkëpunim që do të thellohet çdo ditë e më shumë”.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Bullgarisë, Mladenov, ka thënë se Bullgaria mbështet integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë po ashtu se Qeveria bullgare do të vazhdojë të përkrah forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e saj në nisma rajonale dhe do të ndihmojë fuqishëm në procesin e liberalizimit të vizave.