E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës, pak ligje të miratuara gjatë sezonit

Kuvendi i Kosovës ka shënuar rekord për miratimin e numrit të vogël të ligjeve gjatë një sezoni. Nga 22 shkurti, kur është konstituuar e më tej, Kuvendi ka miratuar më pak se 10 ligje.

Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që monitoron punën e Kuvendit, deklaron se organi ligjvënës po kalon periudhën më të keqe në fushën e miratimit të ligjeve.

Sipas tij, joefikasiteti në punën e Kuvendit vjen si pasojë e mosprocedimit të ligjeve të mjaftueshme nga qeveria, dhe si pasojë edhe e mosangazhimit të mjaftueshëm të deputetëve në këtë fushë.

Kuvendi i Kosovës ka neglizhuar pothuajse në maksimum çështjen e miratimit të ligjeve. Ndoshta nuk është fajtor vetëm Kuvendi, por edhe Qeveria e Kosovës si sponsorizuese pothuajse e vetme e shumicës së ligjeve”, thotë Selmanaj.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, thotë se ka disa arsye që kanë ndikuar në joefikasitetin e Kuvendit në miratimin e ligjeve.

Procedura e stërzgjatur e zgjedhjes dhe rizgjedhjes së presidentit si dhe puna jo e mjaftueshme e komisioneve parlamentare, veçohen nga ai, si pengesat më të mëdha që e kanë shkaktuar këtë joefikasitet.

Nëse merret parasysh rezultati prej më pak se 10 ligjesh të miratuara, kjo, sipas Konjufcës, lë të nënkuptohet se Kuvendi është ende me axhendën e vetë diku në muajin prill.

Mungesa e ligjeve të miratuara pritet të reflektojë negativisht edhe në raportin e progresit të Komisionit Evropian, thotë KDI.

Veç problemeve me të cilat është përballur sivjet legjislatura në aspektet e miratimit të ligjeve, problem tjetër edhe më i rëndë, konsiderohet të jetë moszbatimi i ligjeve tashmë të miratuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›