E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen rekomandimet e LDK-së

Rekomandimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës të paraqitura në seancën e javës së kaluar gjatë debatit për Raportin e Progresit, janë miratuar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës me shumicë votash. Ligjvënësit u kanë dhënë mbështetje rekomandimeve të LDK-së, të cilat kanë sugjeruar ndërmarrjen e hapave të ndryshme të Qeverisë dhe Kuvendit që çojnë drejt arritjes së reformave dhe sfidave të paraqitura në Raportin e Progresit.

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri ka paraqitur edhe njëherë rekomandimet, që përfshijnë intensfikimin e reformave në të gjitha fushat, sidomos në reformën zgjedhore, sigurimin e sundimit të ligjit, zbatimin e reformave demokratike, reformimin e administratës publike, angazhimin e Kuvendit për përgatitjen e ligjeve të domosdoshme për të gjitha reformat ekonomike, politike dhe sociale.

Mandej duhet bërë përgatitjen e një programi veprues të Qeverisë në bazë të të gjeturave të Raportit të Progresit dhe sigurimin se Kuvendi, Qeveria, ministritë përkatëse dhe komunat do të kenë bashkërenditje për plotësimin e të gjitha kritereve ekonomike, politike e sociale.

LDK rekomandon që Kuvendi i Kosovës të trajtojë në çdo tre muaj progresin në plotësimin e kërkesave që dalin nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian.

Javën e kaluar Kuvendi ka debatuar gjatë për Raportin e Progresit me kërkesën e LDK-së, ku më shumë u shkëmbyen akuza dhe kundër akuza ndërmjet pozitës dhe opozitës, mirëpo në fund nuk ka pasur kurrfarë votimi për rekomandimet e LDK-së, për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›