E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranohet ideja për menaxhimin e integruar të kufijve me Serbinë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri ka pranuar se Bashkimi Evropian ka prezantuar një ide për menaxhimin e përbashkët të integruar të gjithë kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ajo në një intervistë për të përditshmen “Epoka e Re” ka thënë se pala e Kosovës i ka thënë po parimisht këtij modeli. Tahiri ka bërë me dije se delegacioni i Kosovës ka kërkuar nga BE-ja t’i bëjë presion Beogradit, që deri më 20 nëntor t’i respektojë marrëveshjet e arritura dhe t’i kthehet dialogut.

Shefja e delegacionit të Republikës së Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se ideja e Bashkimit Evropian për menaxhimin e përbashkët të integruar të gjithë kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete fqinje, është e pranueshme për shtetin e Kosovës, pasi një marrëveshje e tillë është konform përcaktimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ajo ka thënë se një model i tillë është duke u zbatuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërkohë që është në përgatitje me Malin e Zi. Tahiri njoftoi se parimisht pala e Kosovës është pajtuar për këtë ide.

“Në parim kemi dhënë pëlqim që ky model të zbatohet edhe me shtetin fqinj, Serbinë”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka thënë se nuk sheh ndonjë pengesë në zbatimin e kësaj marrëveshje me Serbinë.

“Nuk shoh vështirësi për ta zbatuar këtë marrëveshje, sepse Kosova e ka sistemin unik të doganave dhe të kontrollit të kufirit. Sipas modelit evropian për menaxhimin e integruar të kufijve, dy shtetet që vendosin këtë bashkëpunim punojnë sipas juridiksionit të shteteve të tyre. Pra, të dyja shtetet zbatojnë ligjet e tyre”, është shprehur ajo.

Ndër të tjera, Tahiri ka treguar se kjo çështje është vetëm në nivel ideor dhe së shpejti mund të ketë më shumë të dhëna për atë se si BE-ja e mendon këtë projekt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›