E Shtunë, 31 Tetor 2026

Folni me veriorët

Shqiptarët dhe serbët në Prishtinë deklarojnë se për zgjidhjen e problemit të Veriut duhet të bisedohet me serbët lokalë. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic thotë se për këtë çështje duhet të flasin Hashim Thaçi dhe Boris Tadic. Këtë e kundërshton Azem Vllasi, i cili thotë se Qeveria e Kosovës duhet të flasë vetëm me njerëzit që po dalin në barrikada.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic po mendon se e ka gjetur zgjidhjen për problemin barrikadave në Veri të Kosovës. Ai propozon dialog politik me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve në mes të Qeverisë së Kosovës, asaj të Serbisë dhe serbëve vendës për të normalizuar Veriun.

Këtë propozim Miletic a ka dhënë, të enjten, në një debat të organizuar në Çagllavicë, ku ka marrë pjesë edhe analisti politik, Azem Vllasi.

Miletic thotë se dialogu teknik duhet të vazhdojë derisa thekson se duhen shmangur viktimat në Veri.

“Në bisedime duhet të përfshihen: Prishtina, Beogradi, komuniteti ndërkombëtar dhe serbët lokalë. Pa njërin prej këtyre katër faktorëve në procesin e zgjidhjes së problemit, nuk do të ketë sukses. Ose së paku nuk do të besoj në sukses”, ka thënë Miletic.

“Duhet të bisedohet për Veriun, qoftë edhe nëse kjo të jetë në kuadër të këtyre bisedimeve në Bruksel apo të gjendet ndonjë mënyrë apo formë tjetër. Nuk e përjashtoj mundësinë që në kuadër të këtij dialogu të përfshihet edhe Veriu. Por, ndoshta është mirë që të organizohet një dialog i veçantë vetëm për Veriun e Kosovës. Kjo është vetëm ide dhe mendoj se duhet të kemi parasysh se kemi një gjendje të re dhe të mos humbim jetë njerëzish”, ka shtuar ai.

Sipas tij, rezultatet konkrete dhe afatgjate do të ndodhnin kur në dialog do të uleshin liderët e Kosovës dhe Serbisë.

“Sinqerisht besoj se Thaçi dhe Tadic, apo ata që vijnë pas tyre, do të vijë dita kur do të ulen dhe të bisedojnë për tema të mëdha. Një ditë do të vijë momenti që këta dy liderë apo dikush tjetër që vjen pas tyre – sepse e dimë që pasojnë zgjedhjet, por unë besoj se një ditë do të ulen dhe do të gjejnë zgjidhje për problemet më të mëdha”, ka thënë Miletic.

Ideja për një dialog të tillë me Serbinë për Kosovën është hedhur poshtë edhe nga Azem Vllasi.

Ai ika propozuar Qeverisë së Kosovës të bisedojë me njerëzit e Veriut dhe të gjejnë një zgjidhje, por pa e pyetur Serbinë.

Sipas tij, Beogradi po i keqpërdor serbët nëpër barrikada për qëllime politike dhe me tendenca për ta ndarë pjesën veriore nga Kosova.

Vllasi ka dhënë këshilla për Ekipin e Kosovës.

“Këshilla për palën kosovare është që pjesëmarrësit në bisedime – znj.

Tahiri mos të ngazëllehet shumë duke pritur me padurim vazhdimin e dialogut me Beogradin, për të cilin deri më tash pala kosovare nuk ka asnjë dobi esenciale. Pa pasur përfitime, e dobëson pozicionin e vet dhe madje dinjitetin”, ka këshilluar Vllasi.

Për Borko Stefanovicin ka thënë se nuk duhet të qëndrojë një ditë në bisedime, e një javë në barrikada.

Vllasi ka krahasuar politikën e Tadicit me politikën e Slobodan Milosevicit, duke thënë se edhe tash udhëheqësi i shtetit serb po i keqpërdor banorët me shpresën se do ta marrin një pjesë të Kosovës.

Edhe anëtarja e Ekipit përgatitor për themelimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hadzic ka kërkuar dialog të ri në mes të Kosovës dhe qytetarëve serbë që jetojnë në Veri.

“Është më se e nevojshme të ketë dialog në mes të Qeverisë dhe qytetarëve në Veri,. ata janë të ngopur me këtë situatë. Atyre nuk u intereson politika”, ka thënë ajo.

Vllasi ka përmendur konfliktin në Luginën e Preshevës që ka ndodhur në vitin 2001 dhe që është zgjidhur pa ndërhyrë Kosova, si model për zgjidhjen e problemit të Veriut.

“Për dialog po, por i pushtetit tonë drejtpërdrejt me qytetarët e vet”, ka thënë Vllasi.

Vllasi i ka quajtur raciste kërkesat e serbëve që në pikat doganore të mos ketë shqiptarë, por vetëm njerëz të komuniteteve.

“Kjo kërkesë është absurde”, ka thënë Vllasi.

Por, si do të vepronte Vllasi po të ishte në vend të Edita Tahirit?

“Po të isha negociator i palës kosovare, i kisha parashtruar një kërkesë të qartë: Ose do të ketë një normalizim në të gjitha vendkalimet zyrtare të doganave, ose nuk do të funksionojë asnjë pikë e qarkullimit të mallit me Serbinë”.

Ai ka thënë se qeveritarët nuk e kanë kuptuar mirë reciprocitetin.

“Kosova ka kërkuar masa reciprociteti. Termi reciprocitet thojnë popullorqe, barabarë: Ti mu, unë ty; ti mu, unë ty. Kurgja çka nuk më lejon ti mu, as unë nuk të lejoj ty”, ka sqaruar Vllasi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›