E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj në OKB, kërkon heqjen e strukturave paralele

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj në fjalimin drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar që Serbia duhet të shpërbëjë strukturat paralele ilegale nga Kosova dhe të heq dorë nga financimi i grupeve kriminale në veri.

“Kjo duhet të marrë fund, sepse shkel Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Ahtisaarit, dhe të drejtën ndërkombëtare. Kur këto forca janë duke u përdorur për të sulmuar policinë e Kosovës, policinë e EULEX-it dhe trupat e KFOR-it, ky është një sulm i rëndë mbi të gjithë arkitekturën e sigurisë të themeluar në Ballkan më 1999. Disa prej problemeve kryesore të raportuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara sot këtu kanë të bëjnë me faktin se Serbia jo vetëm që insiston në mbështetjen e strukturave kriminale në Kosovë, por gjithashtu është në mënyrë aktive duke penguar integrimin e serbëve të Kosovës”, është shprehur ministri kosovar.
 

Ai ka deklaruar në këtë drejtim se ndërhyrja e qeverisë në Veri ka qenë legjitime. “Sugjerimet dhe tendencat janë të rrezikshme, sepse ato sigurojnë hapjen e ndarjeve të tjera për ndarjen mes Serbinë. Kjo na deytron për marrjen e masave për reciprocitetin. Kjo ka ndodhur pas tri vitesh, si rezutlat i bllokadës së Serbisë ndaj mallrave tonë. Kjo na ka detyruar të marrim kontroll për kufijtë”, u shpreh Hoxhaj, për të shtuar se policia e Kosovës nuk ka përdorur dhunë.
 

Në këtë drejtim, ministri kosovar theksoi se Serbia ka financuar 6 miliardë euro për të mbajtur nën kontroll strukturat ilegale në Kosovë. Kjo sipas ministrit të Jashtëm të Kosovës duhet të marrë fund, sepse këto forca janë për të sulmuar policinë e Kosovës, EULEX dhe KFOR. Hoxhaj ka deklaruar se Serbia nuk ka të drejtë ligjore për të financuar dhe mbështetur forcat e armatosur të sigurisë në Kosovë.
Ndër të tjera në fjalën e tij, ministri Hoxhaj theksoi se Kosova ka bërë hapa përpara, progresi ky që ka ardhur nga bashkëpunimi me EULEX. Gjithashtu ai nënvizoi faktin se industria e Kosovës është diskriminuar nga Serbia
 

Ministri i Kosovës, është ndalur edhe në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ku nënvizoi faktin e mospraimit të vulave nga ana e Serbisë. “Delegacioni serb ka refuzuar pranimin e vulave. Serbia ndalonte mallrat nga Kosova. Kjo ka qenë një situatë, e cila ka zgjatur për tre vjet e gjysmë”, u shpreh Hoxhaj, për të shtuar se liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave është diskutuar në dialogimet e mëparshme dhe Serbia ka pranuar letërnjoftimet, tabelat dhe letërnjoftimet e lëshuara nga Kosova. Sipas tij, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit mund të jetë gjenerator i vullnetit të mirë.
 

Ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova është dhe do të jetë vend i lirë për të gjithë kosovarët, pavarësisht se a janë shqiptarë, serbë, romë, turq, boshnjakë, kroatë, malazezë apo të tjerë. “Ne nuk dëshirojmë të imponojmë asnjë sundim në veri përveç sundimit të ligjit. Nëse përfaqësuesit politikë serbë bëjnë shumë prej të drejtave të gjera politike afirmative nën Planin e Ahtisaarit, është çështje e zgjedhjes së tyre. Por së paku ata duhet të kenë të drejtën të zgjedhin dhe Plani i Ahtisaarit është korniza më e mirë për këtë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Policinë e Kosovës, KFOR-in, EULEX-in për të siguruar se Kosova arrin më shumë progres në sundimin e ligjit. Sfidat e Kosovës janë të mëdha por ato gjithashtu sigurojnë një dritare të re të mundësisë", ka shtuar ai.
 

Ministri Hoxhaj ka thënë se në Kosovë status-quoja ka përfunduar. “Tani që çështja e statusit është prapa nesh, dialogu ndërmjet dy vendeve mund të bëhet gjenerator i vullnetit të mirë dhe zgjidhjeve të mira. Ne jemi të kënaqur të shohim se një përpjekje koherente ndërkombëtare po ndodh për të lëvizur nga situata e konfliktit të ngrirë dhe status-quosë. E përsëris, status-quajo, konflikti i ngrirë dhe ndarja janë tërësisht të papranueshme. Po ashtu nuk ka kthimin ne stituatën e para 25 korrikut”, ka shtuar ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›