E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Kosova duhet të përafrohen më shumë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka pritur sot në takim një delegacion të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të kryesuar nga kryetari i saj, Edi Rama, me ç’rast përveç që shkëmbyen urimet me rastin e festave të Nëntorit edhe diskutuan për zhvillimet aktuale dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Kryekuvendari Krasniqi e njoftoi Ramën me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe me zhvillimet e tjera në vend.

Ai u ndal edhe në çështjen e liberalizimit të vizave dhe pengesat që Kosova po has në rrugën e saj të përfaqësimit ndërkombëtar e të integrimit, si pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.

Sa i përket bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, kreu i legjislativit vuri në pah nevojën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet dy vendeve.

Në këtë frymë bashkëpunimi, kryetari i PS-së, Edi Rama, potencoi arsyeshmërinë dhe domosdoshmërinë e unifikimit të arsimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe bëri të ditur se për ta shtyrë përpara këtë proces, Partia Socialiste e Shqipërisë është duke hartuar një platformë.

Unifikimin e gjuhës shqipe, Rama e konsideroi të arritur të madhe kombëtare e historike dhe që si të tillë, sipas tij, duhet ruajtur e pasuruar.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›