Hysi e fiton Pavarësinë
Klubi i futbollit Hysi është fitues i turneut ‘Pavarësia’, i cili u mbajt në Vlorë, për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kampioni në fuqi i Kosovës ishte më i suksesshmi në këtë eveniment, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), ku ndër të tjera morën pjesë edhe tri skuadra të njohura të trojeve e shteteve ku jetojnë shqiptarët: mikpritësi Flamurtari, pastaj kampioni i Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës dhe Otranti i Ulqinit të Malit të Zi.
Në asnjërën nga tri ndeshjet e zhvilluara, nga 45 minuta, nuk pati gol, kështu që fituesit u përcaktuan pas ekzekutimit të penalltive. Ndeshja e parë u zhvillua ndërmjet Shkëndijës dhe Otrantit. Asnjëra skuadër nuk e gjeti golin në lojën e rregullt, kurse nga 11 metërshi më të saktë ishin tetovarët, që fituan 3:1.
Në duelin tjetër gjysmëfinal, Hysi dhe Flamurtari po ashtu luajtën pa gola, ndërsa nga pika e bardhë llapjanët ishin më të suksesshëm, 4:3. Dhe në finale, bardhezinjtë u takuan me tetovarët. Hysi, edhe pse pati raste gjatë 45 minutave, nuk ia doli të shënonte. Kështu që fituesin e turneut do ta përcaktonin penalltitë.
Portieri i Hysit, Burim Sadiku ishte hero i bardhezinjve, duke pritur dy penallti (një tjetër përfundoi në shtyllë) për t’ia siguruar fitoren ekipit të tij. Në anën tjetër, skuadra nga Merdara shënoi dy herë, gjë që i mjaftoi për ta fituar edicionin e tretë të këtij turneu, pas Flamurtarit dhe Renovës, të cilët e fitonin këtë kompeticion në vitet e kaluara.
Në fund, kapiteni Mentor Zhdrella e ngriti lart Kupën ‘Pavarësia’, e cila për një vit do të qëndrojë në Kosovë. Në fund u ndanë edhe shpërblime të tjera. Flamurtari mori mirënjohje si mikpritës, ndërsa skuadra më fair-play u zgjodh Otranti nga Ulqini. Kurse lojtari më i mirë i turneut u zgjodh Nebih Mustafi nga Shkëndija.