E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj priti ambasadoren e re të Francës në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim njohës me ambasadoren e porsaemëruar të Republikës së Francës në Kosovë, Maryse Daviet, e cila i ka dorëzuar kopjet e letrave kredenciale në MPJ.

Ministri Hoxhaj e ka njoftuar ambasadoren franceze për progresin e përgjithshëm në Kosovë, për avancimin e vazhdueshëm të proceseve integruese evropiane si dhe për zhvillimet e fundit në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e fuqishme që Franca ka dhënë për Kosovën në të gjitha fushat, me theks të veçantë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar rolin e diplomacisë franceze në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi interesimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimeve të gjithanshme ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Në anën tjetër, Maryse Daviet, ambasadore e Republikës së Francës në Kosovë, shprehu vullnetin e saj për angazhim të fuqishëm në forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet dy shteteve.

Ambasadorja Daviet po ashtu vlerësoi progresin në Republikën e Kosovës, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Parisit për Kosovën, veçanërisht në proceset integruese evropiane. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›