E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Huawei", marrëveshje me "Eagle Mobile"

"Huawei Technologies" dhe "Eagle Mobile" nënshkruan marrëveshjen e planit të investimit për vitin 2009, me një vlerë prej 20 milionë USD. Investimi do të kryhet për rrjetin e kompanisë më të re të telefonisë celulare në Shqipëri, "Eagle Mobile". Drejtori i Përgjithshëm i "Huawei Technologies Albania", Xiao Yongshun, dhe drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile", Ali Taskin, nënshkruan marrëveshjen në prani të Kryeministrit Berisha në Shenzhen të Kinës, nga ku më pas ky i fundit vizitoi edhe zyrat e kompanisë. "Shqipëria zë një vend të veçantë në strategjinë e zgjerimit të ‘Huawei‘-t në Evropë. Kompania jonë po i zhvillon në mënyrë të shpejtë investimet në rrjetet e komunikimit në Shqipëri, në bashkëpunim me ‘Eagle Mobile‘" tha zv/presidenti ekzekutiv i "Huawei International", Li Ke, në takimin me Berishën. "Qeveria ime do të marrë të gjitha masat për të lehtësuar dhe mundësuar rritjen e aktivitetit të tyre ekonomik në Shqipëri. Ne jemi gati të bashkëpunojmë me ‘Huawei International‘, me qëllim shtimin e gamës së shërbimeve elektronike për qytetarët shqiptarë", tha Kryeministri. "Huawei Technologies" është një kompani lider në brezin më të ri të rrjeteve të telekomunikacionit, dhe u shërben aktualisht 35 nga 50 operatorët më të mëdhenj celularë, duke pasur më shumë se 1 miliard përdorues në të gjithë botën. Në një periudhë prej 12 muajsh, "Huawei" mundësoi vendosjen dhe futjen në aktivitet të 300 antenave dhe qendrave të sinjalit të "Eagle Mobile", duke mbuluar rreth 98% të popullsisë, dhe duke shënuar kështu 410000 abonentë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›