E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pagave, vetëm 34.6% në 4 vjet

"Paga ime është rritur me 89 për qind gjatë tre viteve të fundit", - thotë një nga dëshmitarët e një reklame elektorale të financuar nga buxheti i shtetit. Por ndryshe nga sa thonë reklamat qeveritare, shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave flasin krejt ndryshe. Statistikat e publikuara së fundmi, tregojnë për një rritje të pagës mesatare bruto prej vetëm 34.6 për qind që nga viti 2005 deri në shtator të vitit 2008. Pagat janë rritur pothuajse në të njëjtën masë, edhe në periudhën 2001-2004, gjë që tregon se e vetmja gjë që ka ndryshuar gjatë tetë viteve në mënyrën e trajtimit të të punësuarve në shtet, është niveli i reklamimit të rritjes së zakonshme të pagave.

Sipas statistikave, paga mesatare bruto në sektorin publik qe 26800 lekë në muaj. Në shtator të vitit të kaluar, paga mesatare arriti në 36100 lekë në muaj. Rritja totale në katër vjet rezulton "vetëm" 34.6 për qind. Rritja më e madhe e pagave ka ndodhur në vitin 2007 me rreth 17 për qind. Por këto janë shifrat e pagës bruto. Për shkak të ndryshimit të sistemit të taksimit mbi pagën nga taksë progresive në taksë të sheshtë, solli një rregullim, i cili rriti pagën bruto, por jo pagën neto. Masa të tjera spekulative sollën rritjen në dukje të pagave të sektorit publik, pa i rritur shpenzimet e buxhetit për këtë zë. Kështu, në vitin 2007, u programua një rritje 10 për qind e pagave të sektorit të shëndetësisë dhe në të njëjtin vit, u hoq praktika e shpërndarjes së pagës së 13 si shpërblim për vitin e ri. Në total, asgjë nuk ndryshoi në të ardhurat e mësuesve, por në dukje, pagat u rritën.

Një rritje normale

Rritja e pagave me rreth 35 për qind në një periudhë katër vjeçare, është gjithsesi e konsiderueshme. Kjo rritje është proporcionalisht e barabartë me rritjen e buxhetit të shtetit dhe të ekonomisë kombëtare. Në jo pak raste, rritjet e pagave kanë futur në mosmarrëveshje qeverinë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ndërsa kanë pakësuar aftësinë e buxhetit të shtetit për të investuar në infrastrukturë. Por duket se qeveria vetë është e pakënaqur me një rritje të konsiderueshme dhe parapëlqen më shumë një rritje spektakolare prej 90 për qind, siç e ka reklamuar, pavarësisht se reklama rezulton thjesht një gënjeshtër. Në Shqipëri, 166 mijë njerëz rezultonin të punësuar në sektorin shtetëror vitin e kaluar. Rreth 9 mijë vetë janë "shkurtuar" si pasojë e reformave për reduktimin e numrit të të punësuarve në administratën publike.

Edhe rritja e 1 majit në dyshim

Qeveria ka shpallur se do të rrisë pagat me 10 deri në 20 për qind që nga 1 maji i këtij viti, një masë që synon qartazi të japë ndikim në zgjedhjet e ardhshme. Por zëri i pagave në buxhetin e shtetit nuk ka parashikuar rritje. Zyrtarisht, një fond kontigjence është lënë mënjanë për të përballuar rritjen e pagave dhe pensioneve, por ky fond kontigjence përbëhet nga para që nuk janë mbledhur ende. Ekspertët e financave, duke marrë parasysh rënien e pritshme të të ardhurave buxhetore këtë vit, vlerësojnë se qeveria do të ketë shumë pak mundësi për të rritur pagat. Por ekspertët druajnë se qeveria do të marrë para borxh për të mbuluar koston e rritjes së pagave.

Gjithsesi, së paku vitin e kaluar, u vërtetua se deklarata për rritje pagash nuk shoqërohet gjithmonë me rritje reale. Qeveria reklamoi gjatë të gjithë vitit 2008 rritjen e pagave me 5-10 për qind, por statistikat finale nxjerrin në pah një rritje të papërfillshme prej vetëm 1.24 për qind.

Dolën më mirë pensionistët

Të ardhurat e pensionistëve duket se janë rritur më shumë sesa ato të punonjësve të sektorit publik, sipas statistikave zyrtare. Megjithatë, edhe në këtë rast, deklarimet për rritje pensionesh 90 për qind, rezultojnë të pavërteta. Shpenzimet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore pritet të rriten me 45.4 për qind nga viti 2005 në krahasim me vitin 2009, gjë që ka rritur edhe pensionin mesatar kombëtar nga 7900 lekë në 11500 lekë. Rritja e pensioneve në një shkallë më të lartë sesa rritja e shpenzimeve totale të buxhetit të shtetit, kryesisht për shkak të peshës krahasimisht më të ulët që zënë pensionet.

Tabela (në mijë lekë

Treguesi 2001 2005 2008 ndryshimi ‘05-‘08
Të punësuar në sektorin shtetëror 189 175 167 -4.6
Paga mesatare 17.2 26.8 36.1 34.6


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›