E Diel, 1 Nëntor 2026

Hubble, 20 vjet nga syri i Tokës në hapësirë

Kur Galileo ndërtoi teleskopin e tij të parë në fillim të shekullit të 17, ai i dha mundësi që të shihte dhe të regjistronte fazat e planetit Venus, të shihte më nga afër njollat e zeza në sipërfaqen e Diellit dhe të zbulonte 4 hënat e Jupiterit, që më pas do të merrnin emrin e tij. Por asnjë gjeni i atyre kohëve nuk do ta kishte imagjinuar, as në përfytyrimet e tij më të guximshme, përftimin e pamjeve që na kanë dhënë gjatë këtyre viteve të zhvillimit teknologjik teleskopët e epokës moderne. Që kur anija hapësinore “Discovery” e la të “përkundej” në qiej më 24 prill të vitit 1990, teleskopi i famshëm i NASA-s, “Hubble”, ka sjellë në planetin tonë blu qindra fotografi të mrekullueshme të universit të pamat e të bukur që na rrethon. Duke filluar nga supernovat, grupet e yjeve dhe yjësive që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit përmes forcës gravitacionale, për galaktikat e largëta që ngjajnë me ca krijesa të thellësive të detit, vrimat e zeza e retë e mëdha të hidrogjenit që enden nëpër errësirë.
“Hubble” na ka treguar atë që shumë vizionarë, apo artistë që nga Galileo e deri te Pink Floyd apo Stanley Kubrick, kanë imagjinuar që ekzistonte: hapësirën e pafund e të mrekullueshme të një universi misterioz… Pamjet e universit që ky teleskop i ka dërguar në Tokë gjatë 2 dekadave të fundit, i kanë tejkaluar shumë herë fantazitë e “Star Trek” në lidhje me parafytyrimin për hapësirën dhe botën. Dhe me sa duket edhe fantazia më e çmendur nuk mundet që ta arrijë realitetin, i cili del se është shumëfish më i ndërlikuar. Teleskopi më i famshëm i botës, “Hubble”, mban emrin e astronomit Edwin Hubble, i cili vdiq në vitin 1953, 37 vjet para lëshimit të tij në hapësirë. Ai është njeriu të cilin i detyrohemi shumë për mënyrën se si na bëri të ndryshojmë këndvështrimin tonë për universin. Hubble jo vetëm që na provoi faktin e ekzistencës së galaktikave përtej galaktikës sonë ‘Rruga e Qumështit’, por kontribuoi gjithashtu për nxitjen e dialogut shkencor në lidhje me shtrirjen dhe zgjerimin e universit. Para “Hubble” ka pasur teleskopë të tjerë hapësinorë, por perfeksioni i arritur prej tij e kanë bërë atë një teleskop unik dhe një objekt shumë të admiruar qiellor. Ky objekt ka transformuar në mënyrë rrënjësore gjithë dijeninë dhe imagjinatën për astronominë. Astrofizikani i shquar Lyman Spitzer propozoi i pari nocionin e teleskopit të bazuar në hapësirë në fillim të vitit 1946, edhe pse për realizimin e një ideje të tillë do të duheshin akoma edhe 40 vjet. Kur më në fund pas projekteve, realizimit dhe lëshimit të “Hubble” në hapësirë ai doli në qiell të hapur, pati disa probleme në funksionimin e disa të ashtuquajturave “dritare”. Brenda një kohe të shkurtër, një grup prej 3 personash në një anije kozmike shkoi për ta ndrequr defektin në orbitën e Tokës, ku sateliti rrotullohej. Megjithatë ai është teleskopi jo vetëm më i mirë, por edhe më rezistent që ndodhet në qiell. Jetëgjatësia e tij i detyrohet edhe faktit se ai është i vetmi teleskop që vazhdon të assiohet në pozicionin e tij nga grupe teknikësh dhe astronautësh që vijnë prej Tokës. Që nga viti 1993, “Hubble” ka pritur 4 vizita të ndryshme, të cilat ia kanë perfeksionuar funksionimin. Grupi më i fundit daton në vitin 2009. Kjo ndërhyrje e fundit do ta lejojë teleskopin të funksionojë deri në vitin 2014, kur do të zëvendësohet nga pasuesi i tij i denjë “James Webb Teleskop”.

“Hubble” ka gjetur vrimat e zeza që ndodhen në boshtin e çdo galaktike. Bazuar në përllogaritjet e bëra nga Edwin Hubble, ai i ka ndihmuar shkencëtarët të qartësojnë moshën e universit bazuar pikërisht në shkallën e zgjerimit të tij dhe të demonstrojnë faktin se aktualisht universi ndodhet në një moment kur po përshpejton lëvizjen e tij. Disa vite dritë larg Tokës teleskopi ka fokusuar fotografi shumë të qarta të kometës “Shoemaker-Levy”, e cila është përplasur më pas në sipërfaqen e Jupiterit në vitin 1994. Ky rast u mësoi astronautëve të NASA-s një mësim shumë interesant dhe të vyer në lidhje me ekzistencën dhe jetën e kometave në përgjithësi.

Në një sondazh që NASA e publikoi në internet, iu drejtua njerëzve me pyetjen: Cilin fenomen astronomik dëshironi që të studiojë teleskopi “Hubble”. Përgjigjja ishte se shumica e njerëzve donin që “Hubble” të studionte renë e zezë që varet në brezin e Orionit, i cili ndodhet 1500 vite dritë larg Tokës. NASA, nga ana e saj, është përpjekur që të publikojë sa më shumë nga fotot magjepsëse të “Hubble” për universin që na rrethon. Ajo që një njeri konstaton kur i sheh këto foto, veç mrekullimit, është edhe ideja që shkenca dhe arti janë bërë bashkë në këto pamje.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›