E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hulumtimi i OEA: Dhënia e ryshfetit, kusht për ruajtjen e biznesit

Prishtinë (Start/RTK)-Rreth gjysma nga 550 bizneset e anketuara nga Oda Ekonomike Amerikane, deklaruan se mënyra e vetme që të ruajnë aktivitetin, është dhënia e ryshfetit zyrtarëve. Rreth 66 për qind e të anketuarve janë përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi se kanë ofruar ryshfet në të kaluarën, u tha në prezantimin e raportit hulumtues rreth “Ndikimit të Korrupsionit në komunitetin e biznesit kosovar”, të përgatitur nga OEA, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
Korrupsioni vlerësohet se është mjaft i përhapur në Kosovë, dhe se po rrezikon funksionalitetin e institucioneve dhe ekonominë në përgjithësi. Raporti i Odës Ekonomike Amerikane, rreth ndikimit të korrupsionit në komunitetin e biznesit paraqet fakte mjaft shqetësuese.

Nga 550 bizneset e anketuara 50 prej tyre janë të komunitetit serb, biznesi i të cilave zhvillohet tërësisht jashtë sistemit institucional të Kosovës. Megjithëse në raportin e Komisionit Evropian, Shërbimi Doganor vlerësohet si institucion i integrimit, sipas raportit të Odës amerikane ai i prinë listës së institucioneve të cilësuara problematike. Kështu bëri të ditur drejtoresha e OEA-së, Mimoza Kusari-Lila duke paraqitur të dhëna nga raporti:

“Afërsisht gjysma e bizneseve të anketuara besojnë që vetëm duke u dhënë mito zyrtarëve është mënyra e vetme që ta ruajnë efikasitetin biznesor. Të dhënat e dala nga ky hulumtim flasin qartë se dimensioni i korrupsionit është si problem mjaft i madh pasi që 66 % e të anketuarve janë përgjigjur në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi se kanë ofruar mito në të kaluarën”, ka thënë znj Kusari-Lila.

Lila theksoi se duhet të merren masa të menjëhershme, në mënyrë që korrupsioni të mos bëhet normë e pranueshme dhe etike e biznesit në Kosovë, pasi pasojat e tij do t’i barten shoqërisë kosovare në vitet në vijim.
Por, ajo vlerësoi se nevojitet efikasitet më i madh në sistemin gjyqësor, pasi shqyrtimi i lëndëve nëpër gjykata merr kohë tepër të gjatë, madje deri në 6 vite.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se për Qeverinë e Kosovës biznesi është partner në kuptimin e zhvillimit ekonomik, zhvillimit të vendit në përgjithësi, por edhe në zhvillimin e politikave ekonomike të vendit.

“Për Qeverinë e Kosovës është prioritet mbi prioritete lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dhe dukurive tjera. Humbjet e veçanta vërehen në ekonomi. Në rastet e dukurive korruptive humbësi më i madh është buxheti i Kosovës dhe në këtë drejtim duhet të bëhen hapa shumë më shumë, për të rritur inkasimin e buxhetit, pastaj mënyrës së shpenzimit të buxhetit”, ka thënë Kuçi.

Duke vlerësuar se efikasiteti i gjykatave nuk është në shkallë të duhur, Kuçi dhe se qeveria do të kërkojë efikasitet dhe efektivitet më të madh të punës së tyre. Njëkohësisht u bëri thirrje qytetarëve, bizneseve, e shoqërisë civile që të marrin pjesë aktive në luftimin e dukurive siç është korrupsioni.

“Në të kaluarën perceptimi për denoncimin e këtyre dukurie ka qenë si akt tradhtie, sot denoncimi i korrupsionit është akt patriotizmi për këdo qoftë”, theksoi Kuçi.

Kuçi ndër të tjera bëri vërejtje edhe rreth caktimit të tatimit jo real dhe jo proporcional të subjekteve të caktuara ekonomike në krahasim me aktivitetin e zhvilluar biznesor.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se në Kosovë paraja publike po keqpërdoret dhe po drejtohet në xhepat privat të grupeve dhe individëve të ndryshëm, të cilët po pasurohen brenda natës.

“Kosova i ka institucionet që kanë për mision luftën kundër korrupsionit ndërsa kuadri i nevojshëm ligjorë është në përfundim e sipër, por zyrtarët e institucioneve nuk po demonstrojnë gatishmërinë e duhur për respektuar ligjin dhe vullnetin e mirë për të luftuar këtë të keqe, për të luftuar korrupsionin. Prandaj, Kosova ka nevojë për angazhim shumë më serioz si në luftimin ashtu edhe në parandalimin e korrupsionit”, tha Preteni.

Pjesëmarrësit theksuan se duhet të rritet transparenca gjatë shfrytëzimit të parasë publike dhe të ketë llogaridhënie në të gjitha nivelet e qeverisjes, kurse lufta kundër korrupsionit të jetë shumëdimensionale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›