E Shtunë, 31 Tetor 2026

Human Rights Watch kërkon hetime të pavarura për Kurtin


Misioni europian për sundimin e ligjit në Kosovë, duhet të nisë një hetim të pavarur mbi operacionin e policisë së Kosovës më 12 qershor, gjatë të cilit njësitet e posaçme të policisë duket se kishin përdorur forcë të tepruar. Ka qenë ky reagimi i organizatës Human Rights Watch, lidhur me situatën e krijuar gjatë arrestimit të lideri të lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti. "Operacioni kishte filluar si përpjekje për të arrestuar aktivistin politik, Albin Kurti, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje", thuhet në komunikatë. Ky episod, një pjesë e të cilit është xhiruar edhe me kamera, ka filluar pas një takimi të vetevendosjes me gazetarë, në të cilin Kurti paralajmëroi synimet e këtij grupi për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
"Pamjet e këtij operacioni e bëjnë atë shqetësuese", ka thënë Wanda Troszczynska-van Genderen, nga Human Rights Watch.
"Një hetim i pavarur mbi këtë incident është thelbësor për të garantuar kredibilitetin e policisë dhe për të mbrojtur sundimin e ligjit", ka thënë ajo. Duke u bazuar në xhirimet e publikuara, HRW rikujton "Parimet Bazë të Kombeve të Bashkuara mbi Përdorimin e Forcës dhe Armëve të Zjarrit nga Forcat e Rendit", në bazë të të cilave, autoritetet duhet, për aq sa të jetë e mundshme, të zbatojnë masa jo të dhunshme para se të vendosin të shfrytëzojnë forcën dhe armët e zjarrit. Misioni evropian për sundimin e ligjit kishte lëshuar një urdhër-arresti për Kurtin, për t'u përgjigjur akuzave që ishin ngritur kundër tij, për përgjegjësinë e tij gjatë protestave të 10 shkurtit të vitit 2007, gjatë të cilave u vranë dy protestues shqiptarë.
Kurti u dënua më 14 qershor me 9 muaj heqje lirie për për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por është lënë i lirë, pasi kohë më parë, ai ka kryer 10 muaj paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›