Humb 17-vjeçarja, ikën nga banesa prej dhjetë ditësh
TIRANE - Një 17-vjeçare është zhdukur prej 10 ditësh nga banesa e saj në Paskuqan, në rrethana ende të paqarta si për familjarët, ashtu edhe për Policinë e Tiranës. Drejtoria e Policisë së Tiranës mësohet se ende nuk kanë një pistë të qartë, nëse bëhet fjalë për rrëmbim apo largim me dëshirë nga banesa, ndërkohë që po zbardhen tabulatet e telefonit celular, që rezulton i fikur që prej ditës kur ajo është zhdukur. E zhdukura është Erlinda Mulla, me origjinë nga Erseka, rreth 17 vjeçe, e martuar me Valmir Picakunen, i cili është emigrant në Itali. Para se të zhdukej, 17-vjeçarja mësohet se banonte herë në shtëpinë e prindërve të saj dhe herë te familja e të shoqit, me origjinë nga Mirdita, banesat e të cilëve ndodhen vetëm disa metra larg njëra-tjetrës në Paskuqan të Tiranës. Denoncimi në polici është bërë nga nëna e vajzës, Flamure Mulla dhe vjehrra e saj, Tine Picaku, të cilat kanë shpjeguar se adoleshentja është larguar me rrobat e shtëpisë dhe me shapka. Pas dokumentimit të denoncimit, policia ka nisur hetimet, por e konsideron rastin shumë të ndërlikuar, pasi nuk ka asnjë gjurmë, asnjë dëshmitar dhe ende asnjë pistë për zhdukjen e vajzës. Sipas deklarimeve në polici të familjarëve të vajzës dhe familjarëve të bashkëshortit të saj, mësohet se çifti nuk kishte asnjë konflikt me njëri-tjetrin, madje kishin qenë të dashuruar dhe kanë këmbëngulur vetë që të martoheshin në shtator të vitit të kaluar, edhe pse të afërmit e të dy palëve nuk ishin dakord, për shkak të moshës së vajzës. Vjehrra e Erlinda Mullës ka deklaruar se, atë ditë që ajo është larguar nga banesa, ishte shumë e qetë dhe pasi i kishte bërë gati drekën, i kishte kërkuar 500 lekë që të blinte Paracetamol në farmaci, sepse kishte dhimbje koke. Më pas ka dalë nga shtëpia me të njëjtat rroba që ishte dhe me shapka për të shkuar në farmaci, por nuk është kthyer më. e.d