Vetëdigjet me diluent, humb jetën 53-vjeçari
TEPELENE - Depresioni çon në vetëvrasje një 53-vjeçar nga qyteti i Tepelenës. Sulo Buxo ka lyer veten me diluent (lëndë djegëse) dhe më pas ka ndezur shkrepësen, duke i vënë flakën vetes pasditen e djeshme. Sipas policisë, 53-vjeçari kishte blerë dy shishe me diluent, njërën prej të cilëve e kishte pirë, ndërsa me tjetrën leu trupin. Tregtari i një punishteje ëmbëlsirash udhëtoi nga qendra e qytetit me makinën e tij drejt jugut, për të kryer aktin ekstrem. Në afërsi të urës së Leklit, rreth 5 km larg Tepelenës, 53-vjeçari ndaloi automjetin dhe pa si vend të përshtatshëm për kryerjen e aktit, një hapësirë fushore përbri lumit Drino. Gjithë skenën rastësisht e ka parë një person, i cili pinte në një lokal aty afër, por që ka vënë re veprimet e çuditshme të Buxos. Ky i fundit ka hedhur mbi pjesën e sipërme të trupit të gjithë sasinë e diluentit dhe më pas ka ndezur shkrepësen. Lufta me flakët ka zgjatur pak sekonda, pasi vetë Buxo, duket nga frika e djegies totale, është rifutur në makinën e vet dhe së bashku me të ka hyrë rrufeshëm në lumë për të shuar flakët. Policia e Tepelenës është njoftuar menjëherë ku ka mbërritur duke dhënë ndihmën e parë së bashku me kalimtarë të rastit. Fillimisht është nxjerrë vetë Sulo Buxo, i cili u dërgua me urgjencë në spitalin e Tepelenës dhe më pas, automjeti gjysmë i shkatërruar nga flakët. Mjekët e spitalit në Tepelenë kanë bërë të ditur se flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme trupore. Plagët e jashtme dhe helmimi nga pirja e diluentit i kanë shkaktuar vdekjen pak orë më vonë Buxos. Ende nuk bëhen të qarta motivet që shtynë Buxon të ndërmerrte këtë akt, por versioni më i besueshëm është ai i depresionit momental psikik, shkaktuar nga ndonjë problem familjar. p.n