E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të burgosurit vënë në korrent policët



LEZHE - Goditen me energji elektrike policët specialë në Burgun e Lezhës. Ngjarja e pazakontë, që tashmë ka përfunduar në prokurori, ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 23:00, kur forcat speciale të burgjeve po kryenin kontrolle për celularë në godinën numër një të burgut, e cila shërben si paraburgim. Burime nga ky burg pohojnë se drejtoria kishte marrë informacion se prej tri ditësh në sektorin e paraburgimit po përgatitej një revoltë, që do të niste në momentin që do zbatohej urdhri për të nxjerrë televizorët nga qelitë e të arrestuarve. Për këtë shkak janë njoftuar forcat speciale të burgjeve, të cilët sapo kanë hyrë në katin e parë të paraburgimit, u kanë bërë me dije të arrestuarve se do të ushtronin një kontroll për celularë, ndaj këta duhet të bashkëpunonin dhe të dorëzonin të gjitha sendet e ndaluara. Pasi asnjëri nga të paraburgosurit nuk i është përgjigjur kësaj thirrjeje, policët kanë nisur kontrollin në qelinë e parë, duke bërtitur dhe ofenduar të paraburgosurit. Pas kësaj, policët janë drejtuar për në qelinë e radhës dhe në momentin sapo i pari ka prekur dorëzën e derës, është goditur nga një shkarkesë elektrike. Kjo për faktin se të burgosurit kishin shkëputur kordonin e televizorit dhe e kishin lidhur rrymën elektrike me dorezën e derës së metaltë të qelisë. Polici që ka prekur dorezën është përplasur fillimisht me kolegët që kishte pas dhe brenda pak çastesh kanë përfunduar të gjithë përtokë. Pas kësaj, blutë kanë hyrë forcërisht në qeli, duke ushtruar dhunë ndaj të burgosurve. Ndërsa pas përfundimit të kontrollit janë gjetur gjithsej 23 celularë në qelitë e paraburgimit. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, autoritetet e burgut kanë bërë denoncim në Prokurorinë e Lezhës, ku mësohet se gjatë ditës së djeshme është regjistruar çështja penale ndaj të dënuarit Ilir Daja dhe katër të paraburgosurve, të cilët ndodheshin në të njëjtën qeli me të. Po kështu, edhe autoritetet e policisë së burgjeve kanë nisur hetime rreth pozicionit të bluve në ngjarje si dhe dhunës së pretenduar nga të paraburgosurit. Të paktën këta të fundit kanë pretenduar gjatë ditës së djeshme se janë dhunuar nga policia gjatë kontrolleve në qeli, si dhe në qelitë e izolimit ku kanë përfunduar. Mësohet se të burgosurit janë ankuar për dhunën te Avokati i Popullit dhe organizata të tjera, që mbrojnë të drejtat e njeriut. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›