E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzoi 15 mijë dollarë të Tiranës, “ngroh”stolin te Krivbasi



Leonard Karaj

Qershorin e vitit të kaluar refuzoi një shifër marramendëse për kushtet në të cilat ndodhet futbolli shqiptar, prej 15 mijë dollarësh në muaj, për të shkuar te Krivbas, në Ukrainë. Bilanci: 647 minuta lojë nga 1890 të tilla në dispozicion në 21 javë kampionat. Sot, Ansi Agolli, jo vetëm që nuk është titullar tek skuadra e tij në kampionatin ukrainas, por ç’është më e keqja nuk gëzon as besimin e trajnerit të tij Juri Maksimov. Madje, Krivbas mund të konsiderohet që tani e rënë një kategori më poshtë, çka do të detyrojë jo vetëm Agollin por edhe dy shqiptarët e tjerë të kësaj skuadre (Ervin Bulku, ka prishur që para dy muajsh kontratën e tij me klubin ukrainas), Isli Hidi dhe Dorian Bylykbashi që të mendojnë për një sistemim tjetër. Më problematike shihet situata për Agollin, për të cilin rënia një kategori më poshtë dhe aktivizimi i pakët mund të sjellë edhe lënien jashtë Kombëtares. Ndërsa mëngjarashi ka “duruar” në një farë mënyre edhe tekat e trajnerit të tij Maksimov, i cili ka shkuar deri në provokime dhe tallje ndaj lojtarëve shqiptarë. Pasi “largoi” Bulkun nga skuadra, tekniku po bën të njëjtën gjë edhe me Agollin, të cilin jo vetëm që e aktivizon me pikatore, por së fundmi e ka kaluar si mbrojtës të djathtë, rol të cilin mbrojtësi shqiptar nuk e ka bërë kurrë më parë.
Duke parë divergjencat e shumta, jo vetëm Agolli, por edhe Hidi e Bulku mund të shikojnë si mundësi rikthimin në kampionatin shqiptar të futbollit, ku Tirana është dhe mbetet opsioni i parë. E nëse për Hidin e Bulkun afrimi te bardheblutë shihet dhe konfirmohet nën zë edhe në ambientet e klubit, për Agollin ka ende mërira të vjetra. Kjo pasi, drejtuesit e klubit i patën ofruar atij një mega-ofertë me qëllim që të mos largohej nga bardheblutë vitin e kaluar, por ai preferoi një aventurë jashtë, e cila rezultoi totalisht negative. Gjithsesi për të parë Bulkun, Hidin dhe Agollin sërish bardheblu duhet pritur qershori, kur do të nisë zyrtarisht edhe merkatoja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›