Shkarkohet myftiu i Shkodrës
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Përplasja mes kryesisë së Komunitetit Mysliman dhe myftiut të Shkodrës sjell shkarkimin e imamit, Ndriçim Sulejmani. Shkarkimi nga detyra konfirmohet nga Komuniteti, ndonëse Sulejmani u shpreh se nuk ka dijeni zyrtare për këtë vendim dhe dje ka dalë si zakonisht në punë. Nga burime brenda Komunitetit mësohet se shkak për shkarkimin e Sulejmanit është bërë incidenti i ndodhur në mbledhjen e kryesisë së Komunitetit Mysliman në Kavajë, pasditen e së enjtes, në lidhje me praninë e një përfaqësuesi të Shkodrës në kryesi. Drejtuesit e mbledhjes, ku po analizohej puna 3-mujore e Komunitetit, në praninë e vetë kreut të tij, Selim Muça, kanë kërkuar daljen jashtë të përfaqësuesit të tretë shkodran, me pretendimin se nuk ishte anëtar i kryesisë së Komunitetit Mysliman. Për këtë veprim ka reaguar myftiu i Shkodrës, Ndriçim Sulejmani, i cili ka deklaruar se personi në fjalë është përfaqësues i kryesisë së Shkodrës dhe është sjellë aty prej tij, bazuar në rregullore. “Aq më tepër që Myftinia e Shkodrës ka të drejtën e prezantimit me tre anëtarë”, mësohet të jetë shprehur Sulejmani. Edhe shpjegimi i dhënë nga myftiu nuk ka mjaftuar. Madje, drejtuesi i mbledhjes së kryesisë as që nuk ka pranuar që të dëgjojë pretendimet dhe nuk ka vijuar mbledhjen pa dalë jashtë anëtari i tretë nga Shkodra. Reagimi i Sulejmanit ka qenë këmbëngulës, duke deklaruar se nëse një përfaqësues i Shkodrës do të nxirrej jashtë, do të dilte dhe ai. Dhe kështu ka ndodhur, duke bërë që myftiu i Shkodrës të braktiste mbledhjen, ende pa nisur mirë ajo. Burime të brendshme nga mbledhja bënë të ditur se menjëherë pas këtij veprimi, kryesia e Komunitetit Mysliman ka vendosur shkarkimin e myftiut, Ndriçim Sulejmani. Ditën e djeshme, në Myftininë e Shkodrës nuk kishte mbërritur ndonjë shkresë zyrtare që të pohohej largimi i Sulejmanit dhe emërimi i pasuesit.
I pyetur nga gazeta, zëdhënësi i Komunitetit Mysliman, Dorjan Demetja, u shpreh se zyrtarisht për motivet e shkarkimit do të shprehen një ditë tjetër, duke mos dhënë detaje mbi incidentin e mbledhjes. Imam Ndiçim Sulejmani u emërua në këtë detyrë në nëntorin e vitit 2007, duke zëvendësuar myftiun e atëhershëm Bashkim Bajraktari, i shkarkuar edhe ai nga kryesia e Komunitetit Mysliman. Gjatë periudhës që Sulejmani ka drejtuar Myftininë më të madhe në veri të vendit, është shquar për ushtrimin e kompetencave të fesë me mirëkuptim me tolerancë dhe për bashkëpunim të mirë midis komuniteteve fetare në Shkodër, si dhe institucioneve shtetërore. Mes tij dhe kreut të Komunitetit Mysliman, marrëdhëniet kanë qenë korrekte, madje është mbështetur prej tij.