Maqedoni, PDSH e favorizuar nga sondazhet
PDSH është parashikuar fituese në një sondazh në faqen online të Shekullit (shekulli.com.al). Pyetjes “Cila nga partitë shqiptare mendoni se do dalë fituese nga zgjedhjet në Maqedoni” i janë përgjigjur 5102 lexues. Ata kanë zgjedhur mes tre opsioneve: PDSH, BDI dhe Nuk kam mendim. Për fitues PDSH kanë klikuar 2965 fitues deri mbrëmë në orën 23.00, pra rreth 58 përqind e pjesëmarrësve. Për BDI kanë votuar 1910 lexues, ose 37 përqind e votave. Për versionin nuk kam mendim kanë klikuar 227 lexues, ose 4 përqind e votave.
Edhe anketa e fundit e realizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanike - IFIMES nga Lubjana e Sllovenisë, flet se lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka besim më të lartë përkundër liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.Ndërsa Thaçi gëzon besimin te 14.4 për qind e të anketuarve, Ahmetit i besojnë 12.3 për qind. Nga ana tjetër, lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka marrë 44.2 për qind të besimit të të anketuarve, 17.6 për qind liderja e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, kurse Tito Petkovski i Partisë së Re Socialdemokrate 8.9 për qind. Liderëve të tjerë të partive u takojnë 2.6 për qind e besimit të të anketuarve
Sipas analizës së Institutit slloven “IFIMES”, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, do të ketë formim të koalicionit të ri - të vjetër midis VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, liderët e të cilëve Nikolla Gruevski dhe Menduh Thaçi, sipas anketës njëherësh janë edhe politikanët më të popullarizuar.
Në pyetjen se a do të kishit dalë në zgjedhje, 69.4 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, 19.8 për qind janë prononcuar se nuk do të dalin, ndërsa me përgjigje “nuk e di” janë shprehur 10.8 për qind e të anketuarve.
Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Afërt dhe Ballkanike – IFIMES nga Lubjana grumbullon dhe selekton informacione dhe burime për rajonet kyçe konfliktuoze në botë.