Humb jetën bariu 13-vjeçar, i plas granata në dorë
Municionet luftarake të vitit 1997 të cilat aktualisht ndodhen ende të pamagazinuara në depot e ushtrisë i kanë marrë jetën aksidentalisht një 13 vjeçari në rrethin e Tepelenës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Luftinjë në rrethin e Tepelenës kur shpërthimi aksidental i një granate luftarake i ka marrë jetën 13 vjeçarit, Renaldo Goxha nga ky fshat. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër “ngjarja ka ndodhur ndërsa 13 vjeçari po kulloste bagëtitë në zonën pranë fshatit Luftinjë”. Ndërsa bariu 13 vjeçar po kujdesej për tufën e bagëtive, në një përrua, midis shkurreve, ka gjetur një granatë dore të vjetër, të pashpërthyer. Dëshmitarët okularë i kanë pohuar policisë se, 13 vjeçari është bërë mjaft kurioz për këtë gjetje dhe ka filluar të luajë me granatën luftarake. Sipas ekspertëve të policisë “gjatë ‘lojës’ granata i ka shpërthyer aksidentalisht në dorë fëmijës duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij”. Sipas grupit hetimor të mbërritur në vendngjarje ka rezultuar se granata i përkiste municioneve të pambledhura ende të vitit 1997. Blerim Kore